Basha takim me krerët e fasonëve: Biznesi duhet mbështetur, qeveria jep para për oligarkët

E mërkurë, 29 Prill 2020 20:23

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me krerët e industrisë fason.

Sipas zyrës për mediat në PD, Basha ka zhvilluar një takim me Gjergj Gjikën dhe Florian Zekja.

 
 

‘Në vend të mbështetjes për të mbrojtur vendet e punës, qeveria ka shtuar kostot e tyre, duke rrezikuar mbijetesën e qindra ndërmarrjeve’, shkruan Basha në një reagim të shpërndarë në Facebook.

 
 
 

‘Sot bisedova me përfaqësuesit e Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë, z.Gjergji Gjika dhe z. Florian Zekja mbi shqetësimet e tyre të mëdha për krizën.

 
 

Fasonët po përballen me probleme, nga rënia e prodhimit dhe e shitjeve tek mungesa e likuiditetit për të paguar detyrimet ndaj shtetit dhe pagat e punonjësve. Në vend të mbështetjes për të mbrojtur vendet e punës, qeveria ka shtuar kostot e tyre, duke rrezikuar mbijetesën e qindra ndërmarrjeve.

Me ‘protokollin e kuq’ krejtësisht të pazbatueshëm, qeveria po i shtyn fasonët drejt mbylljes, pa patur detyrimin për ti mbështetur financiarisht punonjësit e tyre. Nëse fasonët falimentojnë, 70 mijë punonjës humbin vendin e punës. Kjo duhet parandaluar urgjentisht.

Është koha që fondet që shpërdorohen në mënyrë korruptive, të shkojnë në mbështetje dhe mbrojtje të punonjësve dhe të bizneseve duke rritur ndihmën ndaj tyre.

Ndërkohë që qeveria vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve të paguajë miliona për koncesionet, rritja e papunësisë po kthehet në një plagë edhe më të rëndë, dhe varfëria po thellohet frikshëm.

Paratë e taksave të shqiptarëve sot duhet të shkojnë të gjitha në ndihmë të njerëzve dhe të ekonomisë. Njerëzit meritojnë mbështetjen e munguar ekonomike, biznesi sot ka nevojë për mbështetje, ekonomia ka nevojë për frymëmarrje dhe likuiditet, ndërsa qeveria e ka për DETYRË t’ju garantojë atyre ndihmën financiare që ju takon’, shkruan kreu i PD-së Lulzim Basha.

Image

Login to post comments