“Ambasada e SHBA gjithmonë mbështetje për drejtësinë dhe SPAK”, ja thirrja e Yuri Kim për qytetarët, zyrtarët e politikanët

E Enjte, 30 Prill 2020 15:52

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vijojnë të japin kontributin për reformën në drejtësi. Kështu, përmes një mesazhi në faqen zyrtare, Ambasada Amerikane në Tiranë bën me dije se programi i OPDAT i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara vijon mbështetjen e tij për organet e drejtësisë së re. Gjatë diskutimit të tyre me Ambasadoren Yuri Kim këtë javë, anëtarët e SPAK thanë se dhurimi i kompjuterëve portativë nga OPDAT do të përmirësojë aftësinë e tyre për të punuar në terren duke mbajtur kontakt sa më të pakët gjatë kësaj kohe sfiduese.

Përgjatë muajve të fundit, anëtarët e SPAK kanë vijuar hetimet e tyre, duke shqyrtuar dhe ngritur çështje, gjë e cila pasqyron përkushtimin e tyre për ta bërë këtë institucion një forcë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë, janë kryer hetime proaktive mbi procedura penale të dyshuara për korrupsion. Ambasadorja Kim nënvizoi se mbështetja teknike e OPDAT është vetëm një pjesë e mbështetjes së plotë që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dhënë dhe do të japë gjithmonë për SPAK dhe të gjithë sistemin e reformuar të drejtësisë. Ambasadorja nxiti të gjithë në këtë vend – qytetarë të thjeshtë, zyrtarë, politikanë, të gjithë – që të mbështesin SPAK-un ndërsa vijon të hedhë themelet e tij me procesin përzgjedhës së Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Login to post comments