Me dy votime që mbaruan 6 me 5, Këshilli i Lartë Gjyqësorë shtyu vendimmarrjen mbi mbarimin apo jo të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani njëkohësisht edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse atij i ka mbaruar mandati 6 vjet më parë, vazhdon në detyrë edhe pse Kushtetuta shprehet qartë për mandatet.
KLGJ vendosi të mërkurën të njohë Dvoranin me materiale shtesë mbi mënyrën e zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe po ashtu të kërkojë mendim nga OPDAT dhe EURALIUS mbi çështjen. Ky vendim shkaktoi habi te ekspertët, pasi KLGJ nuk iu drejtua institucioneve për mendim, por disa rrogëtarëve të huaj.
Por edhe qëndrimet në relacionin e KLGJ janë befasuese dhe thellësisht kontradiktore.
Në të thuhet se KLGJ nuk ka kompetencë të shprehet për kërkesën e Presidentit Meta dhe të mbarojë apo deklarojë përfundimin e mandatit të Dvoranit.
“Problematika e adresuar në shkresën e Presidentit, nuk lidhet me kompetencat që KLGJ ushtron në mbledhje plenare apo përmes vendimeve”, thuhet në relacion e lexuar në seancë.
Por në të njëjtin dokument i kërkohet KLGJ-së që të mbajë një qëndrim.
“I përket Këshillit të vlerësojë nëse duhet të mbajë një qëndrim në lidhje me ligjshmërinë e vijimit të ushtrimit të detyrës (së gjyqtarit Ardian Dvorani)”.
Fjalitë e relacionit në vetvete janë kontradiktore.
Ndërsa i referohet emërimit të tre gjyqtarëve të rinj, Komisioni i Vlerësimit të Karrierës shprehet se ishte në “kushtet ku asnjëri prej tyre nuk zëvendëson nominalisht Ardian Dvoranin, por potencialisht secili prej tyre mund të zëvendësojë çdo mandat të mëparshëm”.