Në samitin virtual të BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën do duhet të dërgohet një sinjal i qartë: BE kërkon të investojë në mënyrë strategjike megjithë krizën e Coronës, thotë Oliver Varhelyi për DW.
Deutsche Welle: Në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të flitet konkretisht për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit. Përse do të flitet atëherë në këtë samit?
Oliver Varhelyi: Samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën europiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor.
Si po e ndryshon pandemia e Coronës strategjinë dhe politikën në drejtim të Ballkanit?
Besoj, se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor. Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive.
Mali i Zi dhe Serbia janë dy shtete që kanë ecur më shumë në rrugën e anëtarësimit, megjithëse presidenti serb, Aleksandar Vucic së fundmi është ankuar, se BE e ka lënë vetëm atë në kohën e pandemisë. Ai thotë, se nuk ka solidaritet europian. Çfarë thoni ju për këtë. Tenton ai më shumë në drejtim të Kinës apo SHBA-së?
Epo këtë e dëgjoj herë pas here. Por nëse lexon, se çfarë ka thënë presidenti Vucic në javët e kaluara, atëherë e sheh, që tani ai është mirënjohës për solidaritetin tonë, të cilin e ka marrë nga Europa. Në këtë pikë mesazhet e tij ishin të qarta. Ajo që kemi ofruar ne është bërë me mend. Ndihmën e vërtetë e sheh në terren. Por kjo është tani pas nesh. Ndihma është ndihmë, nëse vjen nga ne apo të tjerët. Nëse ne mund të ndihmojmë, duhet ta bëjmë këtë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin hapjen e negociatave. Franca kërkoi më parë një rishikim të procesit të anëtarësimit dhe iu dha. Tani kërcënon Bullgaria me veto për negociatat me Maqedoninë e Veriut. A është BE gati për negociata serioze për anëtarësimin?
Po, mendoj se po. BE është gati. Në mars pati një përkushtim të qartë, kur të gjithë miratuan fillimin e negociatave. Jam shumë optimist, se do ta bëjmë këtë. Mendoj, se këto gjëra janë pjesë e kulturës europiane të negociimit, që herë pas here ka si hapa mbrapa edhe progres. Por në fund vlen rezultati. Nëse i shikoni arritjet e këtij Komisioni Europian, atëherë do të dalloni, që ne e kemi vënë Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin sërish në axhendën e ditës. Krerët në BE do të merren me këtë, madje në mesin e krizës së Coronës. Mendoj, se ky është një konfirmim i qartë nga ana e BE.
A keni një datë konkrete për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kur do të filloni?
Më kuptoni, me krizën e Coronës në rend të ditës është shumë e vështirë që t‘iu japim tani një datë. Por mund t'iu siguroj, se ne nga ana jonë punojmë fort, shumë fort që të përgatisim raportin vjetor të zgjerimit. Aty ne do të bëjmë një propozim për kuadër konkret të negociatave. Ky është hapi i parë drejt negociatave të vërteta. Komisioni Europian nuk humbet kohë, për të çuar përpara sa më shpejt të jetë e mundur procesin.
Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë larg fillimit të negociatave. Kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin? A shikoni ndonjë shans këtu?
Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi (21.qershor 2020, shën.red.). Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. „Korsitë e gjelbra" që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
SHBA negociuan një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë, që sërish ka dështuar në Kosovë. A është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës?
Shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Përsa i përket kontributit tim, jam më se i gatashëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem as më shumë të jetë e mundur.
Çfarë perspektive shikoni për Bosnje-Hercegovinën? Kur vjen puna tek zgjerimi a nuk po bën ky vend hapa mbrapa?
Jo, nuk mendoj kështu. Qeveria e re ka marrë vendime serioze, që me ardhjen e saj. Para disa ditësh qeveria ia ka dalë, të bjerë në ujdi për 14 detyra prioritare, që duhet të përmbushen, para se Bosnja të jetë një vend kandidat. Ne kishim ofruar një listë me 14 kërkesa, që duhen plotësuar në rrugën e anëtarësimit, kemi miratuar edhe një plan kohor. Kjo më jep shpresë, që po ecet përpara dhe se me qeverinë ne Bosnje-Hercegovinë shpejt do të futem në bisedime.
Kroacia si presidente e radhës në BE duhet të jetë e zhgënjyer, që tani nuk do të ketë një samit pompoz në Zagreb, por vetëm një takim përmes videokonferencës. A do duhet të përsëritet ky samit në një takim të vërtetë?
E rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, megjithë situatën, edhe pse është një takim virtual. Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet europian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti.
Bisedën e zhvilloi Bernd Riegert.
Oliver Varhelyi (48) është komisioner i Bashkimit Europian për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë. Diplomati hungarez ka qenë më parë përfaqësues i përhershëm i Hungarisë për Bashkimin Europian në Bruksel. Varhelyi ka qenë pjesëmarrës në negociatat për anëtarësimin e Hungarisë në BE në vitin 2004.