Nëse Rama ka thënë se në Shqipëri nuk ka oligarkë, atëherë patjetër që ka; ata janë të pasuruar nga buxheti i shtetit, tenderat, koncesionet, PPP-të; bizneset e këtyre oligarkëve mbrohen dhe garantohen me ligje të posaçme ad hominem - një ligj i tillë u miratua vetëm përpara 1 jave me 83 vota; dhe në shumicën e rasteve tregjet ku oligarkët operojnë janë monopole, dhe në rastin më të pafavorshëm për ta, kartele.
“Forca” e oligarkëve në Shqipëri ka sjellë që edhe politika, edhe kur nuk është, të perceptohet si kartel politik; kjo ka sjellë humbjen e shpresës së shqiptarëve, pasi vetë braktisja e vendit tregon se ata besojnë se politika shqiptare është një roza-rozina e të njëjtëve 3-4 personazhe, dhe të njëjtave premtime.
E shkrova “forca” sepse oligarkët nuk kanë forcë. Ata kanë frikë; e dinë që i kanë rënë njerëzve në qafë; ca prej tyre rrethohen nga bodigardë. Ajo që shihet si forcë e tyre është e barabartë me mungesën e vullnetit politik për të zbatuar ligjin dhe garantuar rregulla loje të barabarta në treg për të gjithë shqiptarët.
Në Shqipëri ka oligarkë! Është e vërtetë që ti mund t'i biesh mohit për ekzistencën e oligarkëve deri në frymën tënde të fundit. Mbetet të shihet nëse ka gjëkundi ndonjë vullnet politik për ta shpërthyer koalicionin e tyre në favor të qytetarëve të thjeshtë. Këtë vullnet politik mund ta realizojnë njerëz që nuk janë të lidhur me njëmijë fije me oligarkët.
Deri kur të ndodhë kjo, mohit tënd shqiptarët i përgjigjen si Galileo: e megjithatë oligarkët i kemi para syve, me duart në xhepat tonë. Na kanë rrëmbyer çdo mundësi. Prandaj ikim...