Pas kalimit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë, kryetari i këtij institucioni, Erjon Veliaj, ndonëse i dha godinës një sërë epitetesh përçmuese si “dopolavoro”, “kolibe fashiste”, “ngrehinë prej tallashi” etj., ngriti shqetësimin për materialet me vlerë që ruhen në brendësi të tij.budina-770x424
Kundrejt aludimit të kryebashkiakut, në lidhje me degradimin e mundshëm të gardërobës, bobinave të zërit etj., regjisori Edmond Budina tregon se si i gjetën këto vlera pasi hynë në godinë dhe gjendjen e tyre aktuale.
Në lidhje me akuzat për abuzim, ndaj objekteve me vlerë, Budina pohon se ka pasur, por jo nga ana e atyre që mbrojnë godinën, dhe as gjatë këtyre muajve që ata kanë marrë përsipër menaxhimin.
Sipas tij, prej Teatrit Kombëtar për në Ministrinë e Brendshme, janë postuar 70 armë, si pushkë, maliherë, automatikë, pistoleta etj., që u përkojnë periudhave të ndryshme. Ngjarja, siç tregon regjisori, ka ndodhur në kohën që drejtues ka qenë Hervin Çuli dhe për këtë ai insiston se duhet të ketë një hetim.
“Ato armë nuk i hoqi nga Teatri Kombëtar as Enver Hoxha, që e dimë fort mirë se si ishte ai sistem”, thotë ai. Regjisori shpjegon më tej fatin e bobinave të zërit dhe Arkivit të Teatrit, që sipas tij janë marrë prej zhvendosjes së trupës, duke lënë në godinë gjëra me pak vlerë, dhe padyshim jo shirita me zërin e Kadri Roshit.
“Arkivi ka qenë në Drejtorinë e Teatrit dhe është marr i gjithi, por pavarësisht kësaj, ai është krejtësisht i shkatërruar dhe fajin për këtë e kanë të gjithë drejtuesit”, shton më tej.1523863815_edmondbudina
Zoti Budina, jeni në ballë të protestave për ruajtjen e Teatrit Kombëtar (dhe atij Eksperimental) prej më shumë se dy vitesh… Kanë tentuar që qëndresës suaj t’i japin ngjyrime politike. A jeni ju këtu (në TK) prej Partisë Demokratike apo ndonjë partie tjetër?
Deklaratat që Veliaj ka bërë, tregojnë edhe njëherë se është një gënjeshtar. Ai shpik në mënyrën më skandaloze, kur thotë se Edomond Budina është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ta dijë mirë, ai, dhe kushdo tjetër, se unë nuk jam as anëtar i PD-së, as anëtar i këshillit të kësaj partie. Padyshim që mbetem një nga themeluesit e PD-së, por jam larguar shumë herët dhe nuk kam përfituar asgjë nga kjo parti; as vend pune, as tituj, as para apo tjetër send. Shpifje të tilla, për mua janë të papranueshme. Dhe nuk mund ta mbaj baltën që ai më hedh sipër. Unë jam nga të parët që i kam dalë kundër Partisë Demokratike, për ato vendime që s’më janë dukur të drejta, e që më pas s’kanë shkuar mirë. Më tej, jam tërhequr e s’jam marrë më me politikë dhe nuk kam ndër mend të merrem. Ky njeri gënjen në mënyrë të pabesueshme. Po flasim për të njëjtin person që ka premtuar se s’do të ketë ndërtime e që dita ditës po shohim sesi e ha fjalën…
Vetëm pak orë pasi bashkia mori në pronësi Teatrin Kombëtar, Veliaj aludoi se në Teatër janë keqmenaxhuar rekuizita, arkivi, gardëroba, bobinat e zërit etj. Si është në të vërtetë gjendja?budina
Fatkeqësisht, edhe këtu, ai gënjen në mënyrë të turpshme. Nuk e ka idenë se ç’thotë kur flet për Teatrin, rekuizitën, gardërobat…, s’ka se si, pasi njerëzit që nuk vijnë ndonjëherë në Teatër, vështirë se mund ta kuptojnë atë. Së pari, Arkivi i Teatrit Kombëtar, nuk ka qenë në sallën e madhe, por pranë Drejtorisë së Teatrit Kombëtar. Dhe kur u zhvendosën, kanë marrë të gjithë arkivin. Mirëpo, pavarësisht kësaj, Arkivi i Teatrit është i gjithi i shkatërruar dhe përgjegjësinë për këtë e kanë të gjithë drejtuesit, qoftë ai aktuali, ashtu edhe paraardhësit e tij. E kanë shkatërruar atë arkiv, që mbarte një pasuri të jashtëzakonshme e që e ndërtoi në mënyrë vullnetare, e pa asnjë shpërblim Gjon Karma.
Keni dijeni se ç’mund të ketë ndodhur më tej me to?
Nuk e di se ç’kanë bërë. S’mund të them me saktësi nëse i kanë hedhur, djegur apo shitur.
Veliaj përmendi, praktikisht, bobina me zë të personaliteteve si Kadri Roshi. A ka aktualisht të tilla në godinën e Teatrit Kombëtar?
Ai përmendi bobinat me zërin e Kadri Roshit, por të gjitha këto kanë qenë në Arkiv. Këtu kanë mbetur disa shirita të vjetër, por ilustrimet e shfaqjeve me vlerë, i kanë marrë. Bobinat që janë në Teatër, askush nuk i ka prekur. Por, sigurisht, që s’bëhet fjalë as për zërin e Kadri Roshit, as për emra të tjerë të kësaj kategorie. Pra, edhe njëherë, ai gënjen, në mënyrën më skandaloze.
Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, që ju keni pasur në menaxhim Teatrin me rekuizitën? Ka dalë ndonjë objekt jashtë?
Edhe kur flet për rekuizitën, kryebashkiaku se ka idenë se çfarë është. Rekuizita është e mbyllur dhe s’ka dalë asgjë prej saj jashtë godinës. Përkundrazi, ne këtu gjetëm një rrëmujë të jashtëzakonshme dhe i sistemuam të gjitha në depo. Ka filmime që provojnë të gjitha këto që po them. Filmime që tregojnë se si ne e gjetëm Teatrin, në një gjendje mizerabël… Dua të kujtoj se para se ne të hynim në Teatrin Kombëtar, unë në oborr të kësaj godine gjeta shpatat me të cilat kam luajtur te “Luiza Miller”. Pra, të gjitha këto tregojnë moskujdesin e administruesve të Teatrit Kombëtar.
Keni pohuar se në Teatër mungojnë një sasi e konsiderueshme armësh, të periudhave të ndryshme historike, që janë përdorur në shfaqje. Si është e vërteta?
Është e vërtetë. Janë 70 pushkë, maliherë, automatikë etj., që u përkasin periudhës së pushtimit otoman, gjerman e italian dhe që të gjitha janë hequr nga Teatri Kombëtar e janë çuar në Ministrinë e Brendshme. Dhe këtu duhet të ketë një hetim: Ku kanë shkuar ato armë? Ato armë, nuk i hoqi nga Teatri Kombëtar as Enver Hoxha, që e dimë fort mirë se si ishte ai sistem. Edhe Hoxha i sabotoi, por nuk i hoqi. Ato armë viheshin në dispozicion të shfaqjeve dhe ishin një vlerë e jashtëzakonshme e Teatrit Kombëtar, kështu që e përsëris, kjo ngjarje duhet hetuar!
70 armë të postuara nga Teatri, keni informacion se në ç’periudhë ka ndodhur kjo, kush ka qenë në drejtim të institucionit?
Po, bëhet fjalë, për jo më pak se 70 armë. E kam nga njerëz që kanë firmosur. Drejtor ka qenë Hervin Çuli dhe kjo ka ndodhur rreth vitit 2014 e në vazhdim, deri në afro 3 vite më herët.
Është folur gjithashtu për një degradim/vjedhje/dëmtim të mundshëm të gardërobës, “prej mbajtjes peng të godinës prej tri vitesh”. Si paraqitet gjendja e saj?
Padijen e tij, kryebashkiaku e tregon përsëri kur thotë se kostumet “po i ha mola prej tre vjetësh”. Ne kemi vetëm 7 muaj që kemi hyrë në këtë Teatër. Dhe më duhet të them, që për dy vite e 5 muaj që mbeten, përgjegjësinë nuk e kemi ne. Gjithsesi, për sa u përket këtyre kostumeve, gjatë periudhës që Teatri është menaxhuar nga ne, kostumet nuk kanë pësuar asnjë dëmtim, aq më pak të preket diçka prej tyre. Gjatë kësaj periudhe, as mola s’ka mundur t’i dëmtojë, pasi ne i kemi ajrosur, jemi kujdesur në mënyrë absolute për to. Dhe kjo është shtëpia e tyre natyrale. Ato kostume kanë 70 vjet që flenë në këtë gardërobë, mirëpo kur këta i kanë marrë, i kanë mbyllur nëpër kuti. Kanë dashur t’i çojnë në Rrap të Treshit, nëpër tunelet e tij me lagështirë, pa u kujdesur fare për to. Kjo, sepse te Turbina nuk ka vend ku t’i futin. Dhe sikur të duan t’i mbajnë të vendosura kapicë, njëra mbi tjetrën, nuk kanë vend. Atje po që do t’i hante edhe mola, edhe miu… Pra, edhe pjesën e gardërobës, ne e kemi të gjithë të filmuar. Përpos kësaj, këtu janë edhe kamerat e Ministrisë së Brendshme, të cilat na përgjojnë ditë e natë. Le të kontrollojnë nëse nga ky teatër ka dalë qoftë edhe një objekt. Ne, i kemi të filmuara, gjithë ç’kemi gjetur në Teatër, kështu, mund të përballemi lehtësisht me këdo që ngre akuza. Ne jemi këtu për dashurinë ndaj këtij objekti, historisë, vlerave të tij dhe nuk kërkojmë asgjë tjetër. Është e vërtetë që gjithë sa përmendëm, përbëjnë një pjesë të çmuar të Teatrit, sikundër janë edhe muret, poltronat etj., për të cilat jemi kujdesur si për shtëpitë tona. E gjetëm në një gjendje të mjerueshme dhe çdo cep, deri edhe çdo poltronë e pastruam me duart tona, këtë gjë, ata që e kishin për detyrë, nuk e kishin bërë prej vitesh. Kjo, sepse ne kemi respekt për atë që përfaqëson ky teatër. Respekt për ata që kanë luajtur në këtë skenë, për të tjerët që kanë punuar pas saj, për spektatorët, të cilët edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme, kanë qenë me ne, këtu…
Sipas kryebashkiakut, një godinë e re do të hapte një perspektivë tjetër edhe për shfaqjet, duke afruar edhe më shumë trupa prestigjioze të huaja…
Përsëri thënia e tij, vërteton se ai nuk e ka idenë se ç’ndodh në Teatër. Kur ky person thotë “se kush trupe e huaj do të luaje atje”, dua t’i kujtoj, se ne gjatë kësaj periudhe kemi mbajtur rreth 70 shfaqje dhe këtu, edhe pse në këto kushte, kanë ardhur trupa nga Austria, Italia, Gjermania, Kosova, Maqedonia etj. Trupa dinjitoze si këto, në këtë teatër kanë ardhur edhe më herët. Të gjitha këto janë përralla për të legjitimuar shembjen. Padyshim, që kjo godinë ka nevojë për mirëmbajtje, por fatkeqësisht është lënë të degradohet qëllimisht, që mafiozët të vijnë e të bëjnë ç’të duan.
A keni bërë një inventar ku të pasqyrohet gjendja reale e kostumeve, rekuizitës, bobinave e të tjera objekteve me vlerë?
Ne nuk kemi bërë inventar, por çdo gjë e kemi të filmuar. Dhe të gjitha ato që kanë lënë, janë aty. Kur ne kemi hyrë në godinë, kemi çuar fjalë në Teatrin Kombëtar, që të vijnë të bëjnë një inventar. Por ata nuk pranuan dhe nuk erdhën. Është e qartë se pse nuk e bënë këtë. Kishin frikë, sepse janë ata që kanë abuzuar dhe jo ne. Tani papritur kujtohen dhe thonë se ne mund të kemi abuzuar me këto, por ne kemi respekt dhe për objektin në dukje më pak të rëndësishëm në këtë godinë! Fjalë të tilla t’i matë mirë edhe ai, se edhe postin e ka të uzurpuar. Dhe, të gjitha këto, duhet t’i mbaj mend mirë!
Keni punuar në Teatër, në kohën kur shumë prej ikonave të kësaj skene ishin ende në jetë. Si administrohej atëherë kjo godinë?
Më duhet të them se të gjithë drejtorët që kanë qenë në krye të Teatrit Kombëtar, pas ’90-ës, nuk e kanë drejtuar si duhet. Para ’90-ës, në teatër ka pasur një shembull menaxhimi. Është e vërtetë, Partia e Punës kishte një sërë të këqijash, që askush nuk mund t’i vërë në diskutim, por administrimi i Teatrit Kombëtar ishte i përsosur në të gjitha këndvështrimet. Siç përmenda, Gjon Karma, me vullnetin e tij personal, në fundin e viteve ’60, fillimin e viteve ’70, nisi ta ndërtojë vetë Arkivin e Teatrit Kombëtar. Po ashtu, kishte njerëz të përkushtuar që punonin në skenë, punonjësit e sallës etj., kishte një organizim perfekt. Çdo gjë ishte në vendin e vet dhe për këtë “u heq kapelën” atyre njerëzve që kanë punuar dhe e kanë ruajtur këtë godinë që në vitet e hershme. Madje, meqenëse u kthyem pas në kohë, po sjell edhe një fakt historik. Enver Hoxhës i propozuan që të prishet Teatri Kombëtar e të ndërtoheshin pallate për punonjësit e Ministrisë së Brendshme, që është ngjitur, në mënyrë që të kishin kontakt të menjëhershëm. Por, as Enver Hoxha nuk e shembi Teatrin Kombëtar. “Jo, – tha, – kjo godinë është histori kombëtare dhe duhet ruajtur”. Tani vijnë këta vandalë dhe duan me çdo kusht shembjen e tij. Nuk kërkojnë rrënimin, se mendojnë për zhvillimin. E kërkojnë, sepse duan të mbushin xhepat dhe kjo është mjaft e qartë. Teatrin Kombëtar, e mbrojti sa qe gjallë, edhe arkitekti Maks Velo.
Nga ana humane, si ju duket fakti se ata që e përcollën në atë botë me fjalë nderimi, ditën tjetër “shkelën” amanetin e tij, duke nxjerrë në lojë VKM-në e 5 majit e duke përfolur shembjen e godinës?
Jo vetëm nga ana humane, por në të gjitha aspektet, ky është një gjest kriminal. Një gjest i turpshëm që fsheh pas një hipokrizi të jashtëzakonshme. Shumë mirë që shtëpia e Maks Velos u shpall monument kulture e që do jetë shtëpi muze, si ajo e Kadaresë dhe e Agollit. Unë i kam vizituar të tria këto shtëpi, ata aty punonin, se i tillë ishte profesioni i tyre. Ndërsa aktorët e Teatrit Kombëtar, pjesën më të madhe të kohës e kalonin në këto salla. Pra, është ky Teatër shtëpia e tyre. Përse të mos kenë edhe ata 100 aktorë të shkëlqyer që ky vend ka pasur “muzeun” e tyre. Një teatër-muze të gjallë, me shfaqje… Të ketë jetë në çdo sallë, në skenë, në dhomat e aktorëve. Në çdo cep, ky teatër është i jetuar. Në këto poltrona janë ulur nga Naim Frashëri e deri te Piro Mani. Si mund të prishet një Teatër i jetuar, i vetmi Teatër Kombëtar?! Kjo është skandaloze