Vendimi për prishjen e teatrit, i paligjshëm dhe me gafa qesharake

Premte, 15 May 2020 14:21

Vendimi për shembjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, i miratuar në fshehtësi, është vendim i paligjshëm, i marrë jashtë kompetencave të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, Këshilli Bashkiak nuk ka të drejtë të miratojë shembjen e një godine të rëndësisë kombëtare. Në asnjë prej 19 kompetencave të renditura në ligj (neni 54) nuk parashikohet shprehimisht në letër apo në frymë e drejta e Këshillit Bashkiak për të vendosur prishjen e ndërtesave.

Në fakt, pavarësisht se në hyrje të vendimit renditen shtatë ligje dhe akte nënligjore, asnjë prej tyre nuk parashikon apo krijon një bazë ligjore për vendimin e Këshillit për prishjen e ndërtesës.

Me shumë gjasa ato janë vendosur në mënyrë të sforcuar dhe pa asnjë konsideratë, pasi disa prej dispozitave të përmendura si bazë ligjore në fakt ndalojnë një vendim të tillë si prishja.

Për shembull, neni 25 i Ligjit për Organet Vendore i cituar si bazë ligjore, parashikon se bashkitë kujdesen për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Mund të duket qesharake, por e vetmja mënyrë që vendimi të jetë i bazuar në këtë nen është nëse Bashkia Tiranë mendon se objektet e trashëgimisë kulturore ruhen duke u prishur.

E ngjashme me absurditetin e mësipërm është referenca e vendimit tek Ligji për Policinë Bashkiake. Vendimi referon paragrafin 2 të nenit 8 të ligjit, i cili parashikon se policia bashkiake kujdeset për ruajtjen e pasurisë së Bashkisë. Por, si e ruan policia bashkiake e Tiranës pasurinë e bashkisë duke e prishur?!

Pra, vendimi jo vetëm që nuk mbështetet në asnjë dispozitë ligjore, por paradoksalisht bie ndesh me vetë referencat ligjore që vendimi ka si bazë ligjore të tij.

Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak Tiranë ka përvetësuar një të drejtë që i takon Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit përcakton se të drejtën për dhënien e lejeve të ndërtimit (përfshirë prishjen) për objekte të rëndësisë kombëtare e ka KKT-ja.

Për të mos lënë asnjë shteg interpretimi subjektiv, nëse është apo jo objekt me rëndësi kombëtare ndërtesa e Teatrit Kombëtar, Rregullorja për zhvillimin e territorit ka parashikuar shprehimisht se për dhënien e lejeve të ndërtimit për teatrot kombëtarë është përgjegjës Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ligji ka përcaktuar gjithashtu se për rastet e prishjeve të ndërtesave ekzistuese për të ndërtuar në të njejtin truall një ndërtesë të re, leja e prishjes jepet së bashku me lejen e ndërtimit—leja e prishjes është pjesë e lejes së ndërtimit dhe mund të miratohet vetëm nëse miratohet leja e ndërtimit.

Pra, me pak fjalë: ligji kërkon që leja e prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të jepet vetëm si pjesë e e lejes së ndërtimit të ndërtesës së re, dhe jepet vetëm nga KKT.

Shkelja e Këshillit Bashkiak nuk mbaron vetëm me uzurpimin e kompetencave të KKT-së dhe nxjerrjes së një vendimi në kundërshtim me ligjin—Këshilli ka shpërfillur gjithë procedurën ligjore të detyrueshme për lejen e ndërtimit, pra, edhe të lejes së prishjes.

Ligji dhe rregullorja për zhvillimin e territorit përcakton një listë të gjatë të dokumenteve që duhet të shoqërojnë kërkesën për leje ndërtimi dhe parashikon një procedure të detajaur për shqyrtimin e tyre. Kërkesa për leje shqyrtohet paraprakisht nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili nëse nuk vëren mangësi në dokumentacion ia kalon atë për shqyrtim KKT-së, brenda pesë ditëve.

Vendimi për miratimin ose jo të lejes duhet të merret brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për leje ndërtimi, ndërsa leja e ndërtimit i vihet në dispozicion kërkuesit brenda 30 ditëve pas marrjes së vendimit.

Ligji dhe rregullorja kanë parashikuar afate të tilla si domosdoshmëri për shqyrtimin e duhur të dokumenteve të paraqitura nga kërkuesi. Por, vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë është marrë jo vetëm pa kërkuar dhe shqyrtuar asnjë dokument teknik të detyrueshëm—në fakt Këshilli bashkiak as nuk ka ndonjë kompetencë që të shqyrtojë dokumente të tilla teknike—por, për pasojë në një mënyrë të rrufeshme.

Gjendja bëhet edhe më e rëndë nëse, sikurse dyshohet, vendimi nuk është marrë me votim gjatë një mbledhje të Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe as me një procedurë të vendimit qarkullues—me këtë procedurë ju dërgohet për firmë miratuese secilit dhe të gjithë anëtareve, nëse ata nuk mund të të mblidhen fizikisht.

Në këtë rast do të kishim të bënim me një tjetër vepër penale, fallsifikimin e dokumentave zyrtare nga ana e kryetarit të Këshillit Bashkiak që ka firmosur vendimin në emër të Këshillit.

Nuk ka nevojë për një njohje të thellë të ligjit, për të kuptuar se shkeljet ligjore të vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë janë flagrante.

Në fakt, të gjitha përpjekjet e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar janë shoqëruar vazhdimisht me shkelje të Kushtetutës, akteve ndërkombëtare dhe ligjeve shqiptare, për të cilat ne kemi shkruar disa herë (lexo këtu, këtu dhe këtu).

Deri më sot ndërtesa nuk është prishur për shkak të kundërshtisë të artistëve, shoqërisë civile, e qytetarëve, të cilët kanë ekspozuar shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit në përpjekjet e mëparshme të qeverisë.

Beteja ligjore duhet të vazhdojë—vendimi i Këshillit duhet kundërshtuar menjëherë në Gjykatën Administrative, ndërkohë që duhet kallëzuar në prokurori për veprime të mundshme kriminale individë të caktuar, veçanërisht hetimi nëse vendimi i është fallsifikaur pa u vendosur nga Këshilli./exit.al/

 

Login to post comments