Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, paralajmëroi se qëndresa për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar do të vazhdojë dhe askush nuk mund ta prekë godinën.
Jashtë ambienteve të teatrit, ku kaloi natën në mbështetje të artistëve, Kryemadhi u shpreh se SPAK dhe drejtësia duhet të hapin sytë dhe të vënë para përgjegjësisë ata që duan të shembin teatrin, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë ngërçin.
“Kjo qëndresë e sotme, që është gjëja më e paktë për të ndenjur syhapur, për të mos lejuar rrëzimin e kësaj godine, që iu rezistoi tërmeteve më të forta, do të rezistojë përballë kufomave politike. Kjo qëndresë do të vazhdojë dhe asnjërit nuk duhet ti shkojë në mendje të vazhdojë të bëjë gjëra të feshehta, sic bënë dhe vendimin e paligjshëm, duke falsifikuar një mbledhje të këshillit bashkiak, që nuk ka ndodhur. Siç ndenjën artistët dhe qytetarët syhapur dy netë, mendoj që edhe SPAK e drejtësia duhet t’i mbajë sytë e hapur e të vrapojë sa më shpejt për të vendosur para përgjegjësisë ata njerëz për të çliruar njëherë e përgjithmonë dhe për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga Edi Rama dhe grupi i tij.
Pandemia, kriza politike që ka krijuar Rama, e ka rënduar ekonominë e shqiptarëve. Mjafton që të merremi vetëm me studentët që vijnë nga rrethet, paratë që ata kanë humbur, janë dëme shumë të mëdha që iu ndodhin. Janë mbi 20 mijë student që kanë një lloj kostoje të tillë. Ata student, artistë që qëndrojnë këtu, biznese që kanë mbyllur bizneset, qytetarë që kanë humbur vendet e punës, e kështu me radhë”, deklaroi Kryemadhi.