Pas lajmit qe rebeloi kedo qe pa ato pamje, sesi efektive policie dhunonin nje 15-vjecar, qe levizte me biciklete ne zonen e Liqenit Artificial, ka reaguar edhe gazetarja Ardita Bala.
Në një shkrim postuar ne faqen e saj ne Facebook, ajo tregon se ka qene deshmitare ne ngjarje tejet te dhimbshme, qe nga tragjedia e 9 janarit ne Vlore, tek nje atentat ne Shkoder, por nderkohe ne ato raste i ka mbajtur lotet, thote se ne skenen mizore qe pa gjate dhunimit te atij djali, nuk mundi dot te permbahej.
Ardita Bala/ ”Në 9 janar të 2004 kam qenë në Vlorë, në port, nën shi, kur në mbrëmje sollën trupat e 21 të mbyturve, te stivosur njëri mbi tjetrit, futur në thasë të bardhë, si thasë patatesh. Në krah kisha kujën e familjarëve. Përballë skenës që do të më përndiqte me muaj në andërr dhe zhgjandërr, sinqerisht në ato momente NUK KAM QARË… Jo se isha kafshë, por isha në punë, si gazetare e kronikës, dhe duhet të fiksoja çdo detaj për ta raportuar besnikërisht.
Më herët, punën e parë si gazetare në 2001 e kam fituar pasi rastësisht u bëra dëshmitare e një vrasje të trefishtë në Shkodër, dhe i fundit prej tyre u vra pak metra larg meje, ndërsa para syve të mi i binin rropullitë e barkut. Nuk pata kohë të qaja as atë ditë, sepse vrapova të raportoja…
Nuk kam qarë as përballë shumë trupave pa jetë apo arkëmorteve të tjera që fati tyre i zi i solli t’i kisha para syve në 8 vitet e ushtrimit të gazetarisë së kronikës së zezë nga unë…
Kam qarë sot… Kam qarë sot dhe kam qarë si fëmijë për një fëmijë… Kam qarë kur kam parë me sytë e mi një patrullë policie të vendosur pasditen e kësaj të premte në afërsi të digës së Liqenit Artificial në Tiranë që morën zvarrë dhe rrahën një fëmijë të cilit ende nuk i kishte djersirë mustaqja… Kam qarë nga pafuqia, se nuk ia hoqa dot nga duart 5 burrave, me dhe pa uniformë, që iu turrën ta zbrisnin nga biçikleta, nga e cila refuzonte të zbriste kur ora donte edhe pak minuta të arrinte 17.30. Kam qarë se dëgjoja si i përplasej koka në pllakat e trotuarit dhe shpullat në fytyrë. Kam qarë si njeri, sepse si gazetare në atë moment, (gabimisht) në vend që të nxirrja telefonin dhe të xhiroja, po i kërkoja ndihmë njërit prej oficerëve që njihja dhe gjendej aty, që të ndalonte dhunën mbi 15-16 vjeçarin, por ai nuk “dëgjonte” se fliste në telefon… Kam qarë, sepse portretit të atij djali i vura imazhin e nipave të mi dhe djemve të disa prej miqve të mi që me gjasë nesër do jetë po aq “kokëshkretë” sa 15-16 vjeçari që u “mih” sot si kafshë para syve të dhjetra qytetarëve dhe shpirti mu dogj. Kam qarë sepse ai mund të ishte dhe djali im, i cili në duar në atë momente nuk pati as drogë, as armë, as thikë e as antraks kundër policisë, por veç gojën, e ndoshta dhe një atak paniku që të shtyn drejt rezistencës… Sot kam qarë me kokërr loti për atë djalë që nuk ia di emrin, për nanën e tij, por edhe për këtë vend që po merr rrokupujën, ku po kundërmon era diktaturë. Të jetë vallë rastësi dhuna mbi një fëmijë pikërisht në ditën kur u “fluturua” nga detyra shefi i komisariatit që mbulon zonën e Liqenit Artificial, sepse “në park parmbrëmë pati lëvizje shqetësuese të qytetarëve”, siç tha këtë pasdite vetë Rama?! Të jetë vallë rastësi kjo dhunë në mes të ditës, në mes të qytetit, kur lëvizja e shefit të komisariatit nr 1 trumpetohet edhe nga kryeministri, ndërsa efektivë të tjerë paralajmërohet që të bëhen “gardh” kundër popullit se ndryshe do të kenë fatin e tij ?!?! Të jetë rastësi kjo dhunë kur mijëra punonjës policie në moshën 55 vjeçare, me dhjetra vite eksperiencë mbi supe, po bëhen gati për t’u hedhur në rrugë dhe nën uniformë pritet të jenë vetëm “Rambot” e Robocopët? Të jenë vallë kaq nën presion policët e oficerët sa nuk dinë se ku shpërthejnë dhe nuk kanë se çfarë t’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit?!
Turp burrat e dheut që merreni edhe me fëmijë! Turp që mbani akoma veshur uniformën e policisë! Turp që terrorizoni qytetarët të cilët boll i ka shkatërruar stresi, papunësia, pandemia e politika! Mos e hëngshi me bukë edhe këtë turp! #Policia që s’dua!!
Po si mund të harroni që Athina u dogj në 2008-2009 me muaj të tërë nga protestat për vrasjen nga policia të një 15 vjeçari?!?!?! Kujtoni ju dhe kushdo qoftë pas jush, se populli jua fal juve të na prekni tani edhe fëmijët, të kujdo qofshin ata!!! Ky popull vërtetë ka treguar se mban shumë, por ruani by…n dhe qeverinë se për fëmijët populli ju merr para dhe ju djegë të gjallë! KAQ!!!
P.S; Mirënjohje të pakufishme ndërkohë për të gjithë ato burra e gra që shërbejnë në mënyrë dinjitoze e profesionale në rradhët e policisë së shtetit. Këto rreshta i shkruajta edhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre.