Themeluesi i PS: Shembja e Teatrit akt cubash, socialistet e ndershëm nuk e meritojnë ketë ndëshkim

Tuesday, 19 May 2020 22:19

Profesori i Ekonomisë, Sherif Bundo në një shkrim për Panorama.al ka analizuar vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe sjelljen e Policisë. Sherif Bundo është një ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar e ka quajtur si akt cubash, të cilin socialistet e ndershëm nuk e meritojnë këtë ndëshkim.

Nga SHERIF BUNDO 

REFLEKTIMI I PARË, RRËZIMI I TEATRIT NË KOHË TË JASHTËZAKONSHME

Menaxhimi i krizave vë në provë qeveritë. Dy krizat e fundit, ajo e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kriza e Covid-19, ishin ngjarje që të bëjnë të hysh në reflektime të thella. As tërmetet nuk bien përditë dhe as krizat e shëndetit apo pandemitë nuk ndodhin me një karakter ciklik me interval të shkurtër. Janë ngjarje që ndodhin rrallë, shumë rrallë, por që provokojnë reflektime dhe ndryshime të mëdha e të thella. Reflektimi i parë ka të bëjë me faktin se sa me dinjitet kanë reaguar strukturat e ngarkuara për t’i menaxhuar ato. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë ndëshkimi është i ashpër dhe duhet të jetë i tillë. Këto dy ngjarje, ditët e fundit, duket sikur kanë kaluar në harresë, sikur janë sfumuar nga një ngjarje tjetër, këtë radhë e prodhuar jo nga natyra, jo nga virusi, por nga dora e vetë qeverisë.

Një ngjarje që ka provokuar shumë indinjatë. Një ngjarje pas të cilës lindin shumë pse dhe që padyshim krijojnë një imazh edhe për forcën politike që mbulon me vello qeverinë, e cila është autore e ngjarjes. Aleanca për Teatrin nuk u përfill. Disa struktura shtetërore dhe kushtetuese nuk u përfillën. Disa institucione të rëndësishme europiane nuk u përfillën. Prishja e Teatrit provokoi protesta të artistëve, të qytetarëve të thjeshtë dhe bashkë me ta, normalisht edhe të opozitës. Çfarë ka ndodhur në fakt?

Këtu ka disa fenomene njëherësh dhe është e pamundur të jesh qytetar aktiv, të kesh sjellje dhe ndërgjegje të pavarur dhe të heshtësh. Unë nuk jam inxhinier dhe as arkitekt dhe nuk mund të bëj të gjithëditurin, që të jap një opinion lidhur me faktin nëse duhej prishur ose jo Teatri. Këtë le ta vendosin strukturat. Por konteksti si u veprua, nuk mund të më detyrojë të hesht. Përndryshe do isha pa ndërgjegje. Pyetjet e mia janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta:

Pse u prish Teatri natën, ose më saktë në orën 04:40 të mëngjesit? Pse u prish teatri ditën e diel? Pse prishja e Teatrit është kryer në të njëjtën mënyrë me aksionet e guerilasve të Luftës së Dytë Botërore? Pse u prish Teatri në një ditë që në Tiranë është në fuqi situata e gjendjes së jashtëzakonshme? Pse u provokua publiku me prishjen e Teatrit në atë mënyrë? A mund të kryheshin veprime të tilla mbas dy muajsh? Pse nuk priste dot më qeveria, kur priti dy vjet? Çfarë pune i prishte qeverisë që ky aksion të kryhej mbas kapërcimit të kësaj situate? Si tingëllon në sytë tanë skena e suljes së forcave të armatosura deri në dhëmbë, të ndërhyrjes së shpejtë, ndaj artistëve? Po me Teatrin, çfarë patën? Këto janë pyetje të karakterit moral.

Ka edhe disa pyetje të tjera, që kanë të bëjnë me sjelljen ligjore të qeverisë.

Pse nuk respektoi qeveria kërkesën institucionale që është bërë nga Presidenti i Republikës për kushtetutshmërinë e aktit juridik të kalimit të një objekti, pronë e një institucioni qendror? Pse nuk respektoi qeveria opinionin e shprehur nga institucioni i pavarur i Avokatit të Popullit? Pse nuk respektoi qeveria opinionin dhe kërkesën e shprehur nga një institucion tjetër i pavarur kushtetues, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të mos e prishur Teatrin, para se të shprehej Gjykata Kushtetuese? Pse nuk respektoi qeveria kërkesat e disa ambasadave për zgjidhje institucionale? Si ka mundësi që sillen në këtë mënyrë aluçionale institucionet shtetërore? Ku është gjykimi i ftohtë dhe i kthjellët i institucioneve të shtetit? Pyetje të tilla, mund të shtroj pa fund. Në fakt, nuk është ky qëllimi im. Unë synoj të shpreh një reflektim tjetër.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të qarta. Këto përgjigje janë të njëjta me përgjigjet e pyetjeve për shumë e shumë probleme të tjera të ngjarjeve në këto pesë-gjashtë vitet e fundit.

QEVERIA NDALON SHKOLLAT DHE NXIT PROTESTAT

Ky është një qëndrim antikombëtar. Në këtë situatë të jashtëzakonshme janë mbyllur shkollat, por njerëzit po grumbullohen në turma të mëdha, shumë të mëdha. Në situata të jashtëzakonshme, qeveria ndalon lëvizjen e lirë, ndalon makinat dhe nxit protestat. Ndalon daljen nga parku i qytetit të Tiranës dhe nxit protestat. Ndalon kafenetë dhe nxit protestat. Ndalon turizmin dhe nxit protestat. Nëse për shkak të protestave të provokuara nga veprimet si cuba të qeverisë, nxitet përhapja e koronavirusit, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë, e Kryeministrit dhe e ministrit të rendit. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është përgjegjësi e një veprimi absolutisht partizan të një grupi njerëzish të listuar si këshilltarë të bashkisë së kryeqytetit. Kjo është përgjegjësi e atyre personave që paguhen prej tatimeve dhe taksave tona për ta ruajtur shëndetin e publikut nga këtë pandemi. Qëndrimi ndaj Teatrit dihej që ishte një çështje tepër sensitive. Në të kundërt, do ishte zgjidhur me kohë. Kjo është vepra më kriminale e mundshme e njerëzve me pushtet, të cilët për egon dhe interesat e tyre mafioze, shkatërrojnë gjithë atë sakrificë që bëri publiku në vendin tonë, në përgjigje të thirrjes së mjekëve të talentuar për t’u izoluar dhe për t’u karantinuar. Çfarë vlere pati karantina gati tremujore? Edhe i verbëri më i madh e sheh qartë se kjo situatë protestash është vetëm pasoja e një veprimi të papërgjegjshëm të shtetit, që është shkaku i vërtetë.

Dalloni shkakun nga pasoja. Nëse dikush provokon publikun me një veprim të papërgjegjshëm, atëherë publiku nuk ka asnjë faj. Ndjesë, të nderuar mjekë të përkushtuarju dhe ne kemi fatin e keq që të drejtohemi në këto kohë kaq të vështira, prej politikanësh të papërgjegjshëm. Veprën tuaj të mrekullueshme tremujore e zhbënë politikanët e papërgjegjshëm që qeverisin vendin.

CILA ËSHTË PËRGJEGJËSIA E PARTISË SOCIALISTE NË KËTO RRETHANA?

A është në fakt e majta kundër sektorit publik dhe interesit publik? A meritojnë socialistët të damkosen si njerëz, që janë kundër artistëve? A janë këto veprime të frymëzuara nga filozofia e majtë? A rritet dhe edukohet brezi i ri me këtë sjellje të shtetit? Prishja e Teatrit Kombëtar ishte dhe është problemi dhe shqetësimi kryesor i shtetit në këto kohë shumë, shumë të vështira? E harroi Partia Socialiste ekonominë? I braktisi Partia Socialiste biznesin dhe të papunët? Bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, që janë në kulmin e vështirësive, tani ndihen tërësisht të braktisur. Në kohën që këto biznese, që janë gjaku që mban gjallë dhe ushqen me oksigjen organizmin e ekonomisë, ndihen të braktisur. Në kohën kur shqetësimi kryesor janë të papunët, qeveria e Partisë Socialiste provokon protestat. Kulmi i papërgjegjshmërisë. Prisnim veprime të zgjuara për ekonominë. Prisnim që vendit dhe ekonomisë t’i dilte zot qeveria. Prisnim veprime vizionare për të nesërmen. Mos janë këto veprime për të tërhequr vëmendjen e publikut nga ekonomia? Nëse është kështu, kjo është politika më idiote që mund të prodhohet nga një arsyetim racional. Ky është serioziteti i një partie që ndër vite ka manifestuar përgjegjësi dhe maturi në sjelljet e saj? Ku janë socialistët e mandatuar me pushtet? Ku janë deputetët socialistë? Pse kanë futur kokën në rërë deputetët manekinë? Ata vazhdojnë të ushqejnë me paaftësinë e tyre, padrejtësi dhe produkte të tjera të mbrapshta. Një pushtet i inkriminuar gjen dhe gradon deputetë të paaftë dhe deputetët e paaftë ushqejnë me mandatin e tyre qeverisje problematike. Kjo klimë ka krijuar një imazh shumë të keq ndaj termit socialist, për të cilën kanë investuar qindra dhe qindra intelektualë, nga më të mirët dhe më të kultivuarit e vendit. Jo socialistët e ndershëm, socialistët e vërtetë nuk e meritojnë këtë ndëshkim. Kjo që po ndodh nuk ka lidhje me socialistët. Këtë e thonë të gjithë, kudo që të ndodhen dhe në çfarëdo situate që ndodhen.

Sektori publik dhe shërbimet publike janë bibla të drejtësisë sociale që predikohet nga partitë e majta. Partitë e majta kanë të shkruar me germa të mëdha në flamurin e tyre, mbështetjen për kulturën, për artin, për shtresat e pambrojtura, për biznesin e vogël dhe të papunët, për fshatarësinë dhe të prekurit nga fatkeqësitë, për sipërmarrësit dhe krijuesit. Jo, socialistët nuk kanë asnjë lidhje me këtë klikë. Socialistët e duan artin dhe i respektojnë artistët si shërbëtorët e artit. E kuptoj që orteku që provokoi pakënaqësia dhe sjellja tinëzare dhe kriminale e qeverisë ndaj Teatrit, do rritet. Por, pjesë e këtij orteku janë edhe socialistët e ndershëm. Socialistët nuk mund të mbajnë mbi shpatulla përgjegjësi që nuk ju takojnë. Për prishjen e Teatrit në këtë mënyrë dhe shkeljen me këmbët e mospërfilljes së shtetit të së drejtës, janë të pakënaqur edhe socialistët. Fijet që lidhin socialistët e ndershëm dhe shpirtin e tyre paqësor me këtë qeveri janë këputur. Jam ndier keq, shumë keq në disa mjedise socialiste këto ditë, kur më është pohuar se nuk kishin menduar kurrë se qeveria e tyre do kishte këtë fytyrë. E hidhur, por kjo është e vërteta e vërtetë.

Forcat e armatosura të ndërhyrjes së shpejtë, shteti nuk i ka për të treguar trimëri me artistët e dashur dhe paqësorë. Artistët nuk shtypin dot një mizë, ndërsa shteti frikacak dërgon ndaj tyre forcat e armatosura të ndërhyrjes së shpejtë. Sa ironi! Forcat e armatosura të ndërhyrjes së shpejtë janë për të ndjekur kriminelët, për të ndjekur bandat, për të ndjekur kontrabandistët, për të eliminuar veprimet e armatosura antishtet, për të neutralizuar veprimet e grupeve të strukturuara kriminale, për të luftuar drogën dhe prostitucionin, por jo, kurrë jo për të bërë luftë me artistët.

MERCENARË KA DHE DO TË KETË GJITHNJË, NDAJ DUHEJ REFERENDUM

Nuk më habiti aspak shpallja publike e një liste me emra dhe firma artistësh të përdorur kundra artistëve të tjerë. Kanë ndodhur këto fenomene edhe herë të tjera. Gjithkush ka të drejtën e tij të shprehë lirshëm opinionin e tij dhe me sa di unë, kjo nuk ka munguar. Por, nuk kuptova pse pikërisht në kohë pandemie të mblidhen firma? Sjellje të një partizanllëku të shpifur. U përdorën keq emrat e disa personaliteteve të shquara, të nderuara dhe mjaft të respektuara nga gjithë publiku, të cilat treguan qartë se janë talente të rralla artistike por që nuk dinë të sillen si persona me përgjegjësi publike. E kam të qartë skemën se si ka funksionuar puna për të hartuar këtë listë: drejtuesit administrativë, në raste të tilla, të vënë para përgjegjësisë ose të paaftësisë së tyre administrative dhe menaxheriale, apo të paftë për t’i vënë gjoksin vështirësive dhe përgjegjësive për t’i bërë ballë sjelljeve të shtetit, me të cilat edhe ata vetë nuk janë dakord, ose nuk janë gjithnjë dakord, nga që nuk e kafshojnë dot atë dorë, e puthin. Kërkesa e tyre për një Teatër dinjitoz është legjitime. Por, nuk duhet të thonë artistët në se duhet prishur ose jo një Teatër. Larg qoftë se mos nesër firmosin të prishin edhe Teatrin e Operës dhe të Baletit, apo Teatrin e Kukullave. Nuk më takon mua të shprehem në se duhet prishur ose jo, Korpusi qendror i Universitetit, se ai nuk na përket vetëm ne që punojmë sot si pedagogë të tij. Këta drejtues mercenarë tërheqin në thellësitë e detit ku janë mbytur vetë edhe talentet shpeshherë naive të artistëve të mëdhenj. Një kolegu dhe miku i ngushtë i Ajnshtajnit doli hapur pro Hitlerit në Gjermaninë fashiste në prag të Luftës së Dytë Botërore. Pse duhet të grumbullohen firma artistësh? Po është fjala për emra dhe për numra, pse nuk u bë një referendum i të gjithë qytetarëve të Tiranës për Teatrin? Në fakt, Teatri nuk ishte vetëm i Tiranës, por pse nuk përdoret kjo praktikë e thjeshtë e bazave të demokracisë?

Ngjarja e Teatrit shërbeu për të treguar se zullumet janë shumë të mëdha. Teatri, na ndihmoi të kuptojmë mirë shprehjen: qenit kur i vjen ngordhja shkon e përmjerr te dera e Teatrit. Kështu ndodh gjithnjë: në prag të fundit, qentë ngordhin ose te dera e kishës apo xhamisë, ose te dera e shkollës ose te dera e Teatrit. Më erdhi keq për zhgënjimin e artistëve, jo për qenin që ngordh te dera e tij.

(VIJON…)

Login to post comments