“Veprime konkrete për rrëzimin e qeverisë”, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thirrje qytetarëve: Bashkohuni në koalicionin kundër diktaturës

E Enjte, 21 May 2020 18:30

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit iu ka bërë sot thirrje qytetarëve të bashkohen në protestat që kanë qëllim rrëzimin e qeverisë Rama.

protesta-artistet-teatri-shembja-atmosfera-pankartat (27)

“AMT u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.

Në mesazhin e tyre Aleanca për Teatrin zotohet se do të angazhohet për katër veprime konkrete e demokratike, që synojnë rrëzimin e qeverisë, ndryshimin e sistemit zgjedhor, shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998 dhe hartimin e një Kushtetute të re.

Deklarata e plotë:

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) rikonfirmon vendosmërinë e saj për të vazhduar luftën e nisur në mars 2018, në mbrojtje të trashëgimisë, lirisë dhe demokracisë. Shembja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental ishte një goditje e rëndë, por jo fatale. Ne humbëm një betejë, por jo luftën.

Me shembjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të çdo ligji e procedure, duke mos respektuar gjykatat dhe paditë e Presidentet, Edi Rama shpalli zyrtarisht diktaturën në Shqipëri. Qysh prej amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, demokracia në Shqipëri ka bërë hapa prapa. Me amendamentet e vitit 2016, Shqipëria u bë një regjim hibrid, i njohur si i tillë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli. “Reforma në drejtësi”, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total! Ajo jo vetëm nuk ka fuqizuar qytetarët, por ka hequr çdo kontroll ndaj abuzimeve të Kryeministrit. Prej dy vjetësh AMT denoncon shkeljet ligjore në lidhje me çështjen e Teatrit dhe nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret për hetimin e tyre.

Në këto kushte, AMT u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës. Asnjë kauzë qytetare nuk mund të fitohet më pa rrëzuar diktaturën, pa rikthyer standardet kushtetuese dhe normalitetin e institucioneve. Ftojmë të gjitha grupimet dhe individët, të lenë mënjanë divergjencat e pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit dhe të shtyjnë çdo debat ideologjik për një kohë tjetër, kur të jenë krijuar kushtet për konkurrencë të ndershme idesh.

Për sa më lart, ne angazhohemi në veprime konkrete, demokratike, që synojnë:

1. Rrëzimin e Qeverisë diktatoriale të Edi Ramës;
2. Ndryshimin e sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke rikthyer te qytetarët të drejtën për zgjedhjen e deputetëve të tyre;
3. Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998;
4. Hartimin e një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte.
AMT do të bashkëpunojë me çdo grupim qytetar dhe individ për rrëzimin e diktaturës dhe ringritjen e demokracisë në vend.

Poshtë Diktatura!
Rroftë Shqipëria!

Tiranë, 21.05.2020

Login to post comments