Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke kujtuar masakrën në Burgun e Dubravës, tha se edhe pse autorët dihen me emër e mbiemër ende askush nuk është gjykuar.
Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kosova nuk gjen qetësi pa zbardhjen e këtij dhe shumë krimeve të tjera massive.
“Njëzetenjë vjet më parë forcat serbe kryen krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës. Edhe pse ndër masakrat më të dokumentuara, me vrasës të njohur me emër e mbiemër, askush ende nuk është gjykuar. Kosova nuk gjen qetësi pa zbardhjen e këtij dhe shumë krimeve tjera masive dhe e ka obligim, që të kërkojë drejtësi derisa ekzekutorët e këtij krimi gjenocidal të marrin dënimin e merituar. Është e dhimbshme se ky skenar morbid serb, përfshiu edhe veprimtarin e madh të çështjes sonë kombëtare, Ukshin Hotin, për zhdukjen e të cilit as pas dy dekadash nuk ka asnjë hetim. Martirët e Dubravës janë pjesë e përhershme e kujtesës sonë historike”, shkruan Haradinaj.