Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jep lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të PD në Mirditë, Preng Toma.
Basha shkruan në “Facebook” se Preng Toma ishte një qytetar i angazhuar që ja kushtoi jetën zhvillimit të krahinës së Mirditës dhe që la gjurmë të thella në historikun e pushtetit vendor në Shqipëri.
Mesazhi i plotë i Bashës:
Mësova me hidhërim të thellë largimin para kohe nga jeta të Preng Tomës, njërit prej drejtuesve historikë të Partisë Demokratike në Mirditë. I mirënjohur për kontributin e tij pedagogjik shumëvjeçar në fushën e edukimit fizik, e posaçërisht si trajner i ekipit të volejbollit të vajzave të Minatorit, ekipit që ishte shndërruar në krenari të zonës për shkak të rezultateve të suksesshme në nivel kombëtar, Preng Toma ishte një qytetar i angazhuar që ja kushtoi jetën zhvillimit të krahinës së Mirditës.
Drejtues i shkëlqyer vendor, në komunën e Kthellës (1996-2003) e më pas në Bashkinë e Rrëshenit (2003-2007), Preng Toma ishte që prej vitit 1996 një nga njerëzit më të votuar nga komuniteti në të gjithë Qarkun e Lezhës. Partia Demokratike ishte e nderuar që pati në radhët e veta si drejtues Preng Tomën, si në ditët e pushtetit, por edhe në ditët kur përçonte në të gjithë Shqipërinë modelin e opozitës morale, standardin e fortë të politikës qytetare, dhe qëndrestare që lufton për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Preng Toma la gjurmë të thella në historikun e ri të pushtetit vendor në Shqipëri dhe me emrin e tij lidhen disa prej investimeve të rëndësishme që janë kryer këto vite në komunën Kthellë dhe bashkinë e Rrëshenit. Me largimin e tij të parakohshëm nga jeta, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë dhe qytetarët e Mirditës e dega e Partisë Demokratike të Mirditës njërin nga drejtuesit e saj më të spikatur. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve. U prehtë në paqe!