PRAPASKENAT/ Shkrihet KQZ, roli i Kryekomisionerit dhe depolitizimi i komisioneve. Si u arrit pakti për identifikimin biometrik

E Enjte, 04 June 2020 17:32

Administrata Zgjedhore është pika që ndan maxhorancën dhe opozitën për të arritur një marrëveshje konsensuale për zgjedhjet. [KQZ-vendimi-shkarkohet-Agim Kajmaku]

Burimet thanë për “Panoramën” se palët negociuese në Këshillin Politik kanë rënë dakord për formatimin e plotë të KQZ-së. Zgjedhjet do të administrohen nga kryekomisioneri, i cili do të zgjidhet nga Parlamenti.

Kryekomisioneri do të punojë me Bordin e Administrimit dhe nën të do të funksionojë Këshilli i Ankesave. Përbërja e Këshillit të Ankesave do të jetë e pavarur, me 5 anëtarë, nga të cilët 3 prej tyre do të propozohen nga maxhoranca dhe 2 nga opozita.

 

KOMISIONET

 

Debati, i cili nuk gjeti zgjidhje edhe pas 9 orëve të dyta ku u investuan edhe tre ambasadorët e rëndësishëm në Tiranë, mbetet i hapur për komisionet vendore zgjedhore. Drafti për të cilin maxhoranca ka shprehur dakordësi, është përbërja e KZAZve me tre anëtarë. Po ashtu, edhe Komisionet e Qendrave të Votimit pranohen nga maxhoranca që të kenë tre anëtarë jopolitikë.

PD-ja nuk e ka pranuar këtë formulë, duke këmbëngulur kjo e fundit nuk i jep asaj garancitë e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, për shkak se komisionerët e pavarur që vijnë nga administrata janë lehtësisht të shantazhueshëm nga pushteti. Partia Demokratike propozon që komisionet vendore të administrimit të zgjedhjeve të përbëhen nga 7 anëtarë, nga të cilët, 3 të jenë anëtarë të pavarur, jo vetëm nga administrata, por dhe juristë e avokatë, njerëz të profesioneve të lira. Përveç këtyre 3 anëtarëve, PD-ja propozon që në këto komisione të ketë edhe 4 vëzhgues, 2 nga PS dhe 2 nga PD me të drejtë shënimi në procesverbalin e çdo kutie. Kjo është pika që ndan palët. Maxhoranca nuk e ka pranuar këtë formulë, me pretendimin se përfshirja e njerëzve politikë do bllokonte procesin zgjedhor dhe do t’i fuste zgjedhjet në ngërç. [reforma]

IDENTIFIKIMI

Tryeza e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore është transferuar dy ditët e fundit nga Pallati i Kongreseve te rezidenca e ambasadës amerikane. Kjo erdhi pasi palët nuk arritën që ta mbyllnin Reformën Zgjedhore brenda afatit të përcaktuar nga vetë ata. Por çfarë ndodhi dy ditë më parë në rezidencën e ambasadës amerikane, ku ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadori i BE-së, Luigi SOreca, dhe ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, u ngujuan për 9 orë së bashku me katërshen politike për të gjetur konsensusin mes palëve?!

Burime të gazetës “Panorama” nga takimi i dy ditëve më parë thanë se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kërkonte që të arrihej një marrëveshje e shpejtë për të gjitha çështjet e nxehta që kishin mbetur në tryezën e Këshillit Politik dhe nëse nuk do të arrihej në dakordësi, ajo do të komunikonte publikisht se mbështet draftin e Reformës Zgjedhore që adreson shqetësimet e OSBE/ODIHR. Por përfaqësuesit e opozitës së bashkuar vazhdonin të këmbëngulnin për të implementuar në 100% të qendrave të votimit identifikimin biometrik.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, e ka pranuar në parim këtë propozim, por është justifikuar me buxhetin e pamjaftueshëm për të mundësuar identifikimin biometrik në të gjithë vendin. Po ashtu, Gjiknuri ka pasur pasiguri nëse është e mjaftueshme koha për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Teksa debati ishte në pikën më të nxehtë dhe kryediplomatja amerikane kërkonte që palët të gjenin dakordësinë, sipas burimeve nga takimi, ndërhyri ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i cili hyri garant për të gjetur financat për të mundësuar sigurimin e identifikimit biometrik. Mësohet se pas një telefonate me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Vaherlyi, Soreca ka deklaruar se BE-ja do të sigurojë 15 milionë euro për të implementuar në kohë dhe në të gjithë Shqipërinë identifikimin biometrik të zgjedhësve.

Pas kësaj ndërhyrjeje, palët arritën që të gjenin dakordësinë, ndërkohë që ambasadorja e SHBAsë kërkoi që marrëveshja e arritur në nënshkruhej nga të 4-t përfaqësuesit politikë që ishin të pranishëm në takim, në mënyrë që të mos kishte ndryshim të qëndrimeve të përfaqësuesve politikë. Palët kanë rënë dakord që, nëse nuk realizohet identifikimi biometrik i votuesve, në zgjedhje të përdoret varianti aktual i votimit, me kartë identiteti dhe regjistër të gjendjes civile. Ndërkaq, ditën e djeshme, opozita u tërhoq nga kërkesa politike për qeveri tranzitore.

DEKLARATA

Rreth orës 21:00, pasi ishte nënshkruar marrëveshja për çështjen e identifikimit biometrik dhe diskutimi mbeti te formula e zgjedhjes së administratës zgjedhore, kryediplomatja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, doli në një deklaratë publike dhe tha se palët kishin bërë progres, ndërkohë vendosi edhe kufijtë se deri ku mund të ndërmjetësojnë.

“Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej ODIHR-it, do të biem dakord me ta. Por nëse konsensusi për këto pika që ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa. Sikurse e kam thënë, ne duam që Shqipëria të jetë në BE, kjo është një dëshirë e SHBA-së dhe e popullit shqiptar. SHBA-të do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të vazhduar që ta mbështesin popullin shqiptar”, tha ndër të tjera ambasadorja dje.

Përbërja aktuale e KQZ dhe administrimi zgjedhor 

Zgjedhjet në Shqipëri administrohen nga një institucion i pavarur, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Aktualisht, ky institucion është i organizuar në mënyrë të tillë që përfaqëson të gjitha palët politike në vend. KQZ ka 5 anëtarë. Sipas çdo mandati të saj, ky komision përbëhet nga dy anëtarë përfaqësues të opozitës dhe dy anëtarë përfaqësues të maxhorancës. Deri në zgjedhjet e vitit 2017, kryetari i KQZ kishte qenë përfaqësues i maxhorancës, çka ishte edhe vendimtar në vendimet që merrte ky institucion. Ndërkohë, pas marrëveshjes politike të vitit 2017, KQZ drejtohet nga një përfaqësues i propozuar nga opozita, Klement Zguri. Kjo lloj balance në KQZ përcillet edhe në përbërjen më poshtë të KZAZ-ve dhe të komisioneve në qendrat e votimit. /PANORAMA

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...