Basha: Do ofrojmë planin ekonomik për rimëkëmbjen e shqiptarëve

Diel, 07 June 2020 13:08

Opozita e bashkuar po bëhet gati për zgjedhje. Kreu i opozitës Lulzim Basha ka njoftuar ditën e sotme pas mbledhjes me kryesinë e PD se do të nisin takimet për të prezantuar planin ekonomik për rimëkëmbjen e vendit.

DEKLARATA E BASHES 

 

Sfida më e madhe e çdo familje, sfida e madhe e çdo shqiptari sot është kriza ekonomike. Dhe kjo sfidë nuk mund të zgjidhet nga ata që e shkaktuan këtë krizë të thellë ekonomike duke e varfëruar, zhvatur dhe taksuar Shqipërinë në këto 7 vite. Ndaj e gjithë vëmendja jonë, i gjithë  fokusi ynë, i gjithë përqendrimi ynë tani është tek e ardhmja. Është te një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë. 
Ndaj Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta konsultojmë atë kudo nëpër Shqipëri. Ne do ti fitojmë zgjedhjet sëbashku me shqiptarët, do ti kthejmë qeverisjen vendit dhe do të kemi në fokusin tonë ringritjen ekonomike dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë për shqiptarët që të prodhojë mirëqenie dhe vende pune.  
Ky do të ketë përqendrimi i të gjithë energjive tona, ne nuk do të humbasim asnjë sekondë me gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë, të Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, të Opozitës së Bashkuar, tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike duke ofruar planin tonë, masat tona shqiptarëve dhe duke ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugën e daljes nga kjo krizë, për t’jua kthyer ekonominë dhe Shqipërinë, shqiptarëve. 

 
 

 
 
 
Login to post comments