Familja juaj është shembulli më i mirë i atdhedashurisë, që na krenon të gjithëve dhe do mbetet e paharruar në historinë e vendit tonë
Në kuadër të Çlirimit të Atdheut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Kolonelin veteran Myfit Guxholli me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacion: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës dhe shkencës topografike ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të L.A.N.Ç.-it”.
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, duke iu drejtuar të pranishmëve mes të cilëve ishin veteranë të LANÇ-it, drejtues dhe anëtarë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve dhe pjesëtarë të familjes Guxholli, Presidenti Meta u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj sot Kolonel Myfit Guxholli, ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin e çmuar si luftëtar i lirisë në radhët e Brigadës IV partizane, për rolin e tij në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare dhe si themelues e drejtues i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Kolonel Guxholli, një ish-student i Liceut të Korçës, në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin, i shtyrë nga atdhedashuria dha një kontribut patriotik, u bashkua me armë në dorë në Luftën e lavdishme Nacional-Çlirimtare duke shërbyer edhe si kuadër i forumeve më të larta të Brigadës IV Sulmuese.
Si një ndër pedagogët më të shquar dhe Shef Katedre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhe tani si kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, kontributi dhe puna e Kolonel Guxhollit në shërbim të vendit është e jashtëzakonshme dhe tejet e vyer.
Familja e nderuar Guxholli, Kolonel Myfiti, babai i tij Nevruzi së bashku me tre vëllëzërit, Bexhetin, Qemalin dhe Arefiun, jo vetëm që u rreshtuan si partizanë në krah të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, por shkrinë dhe dhuruan të gjithë pasurinë e familjes së tyre për Luftën. Të gjithë së bashku ata luftuan përkrah Heroit të Popullit Reshit Çollaku me çetën partizane të Mokrës.
Kjo familje është shembulli më i shkëlqyer i patriotizmit dhe atdhedashurisë e cila na krenon të gjithëve dhe do mbetet e paharruar në historinë e vendit tonë dhe shembull frymëzimi për brezat e rinj. Më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare.
Është i njohur kontributi juaj si kryetopograf, shef seksioni dhe Nënkryetar i Degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare; si bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë, në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954); si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.
Por sot, unë dua të vlerësoj edhe aktivitetin tuaj të pasur shkencor e pedagogjik, si autor i tekstit mësimor ‘Gjeodezia’ të përshtatur për studentët e specialitetit ‘topograf’ në Akademinë ‘Skënderbej’, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë gjeodezinë në këtë Akademi.
Këto janë një trashëgimi e çmuar që zënë vend nderi në analet e historikut të Forcave tona të Armatosura.” – nënvizoi Presidenti Meta.
“Më lejoni të shpreh sot konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare; për kontributin që ka dhënë dhe jep kjo organizatë në mbrojtjen e idealit të luftës për liri dhe transmetimit të brezave të rinj të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë epopesë së lavdishme të Luftës Nacional-Çlirimtare.
Ju, si bashkëthemelues i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, me Dr.Ymer Dishnicën, Gjeneral Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e shumë të tjerë, në drejtimin e kësaj organizate, i keni bërë shërbimin më të mirë kombit dhe popullit shqiptar, duke nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, që ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar për lirinë e Atdheut.
Kjo luftë e lavdishme që realizoi çlirimin e atdheut nga okupatori nazifashist dhe e shpëtoi vendin tonë nga planet për ndarjen, duke e radhitur Shqipërinë në anën e Aleancës së madhe të popujve kundër Aksit të së keqes, është padyshim një meritë për Shqipërinë europiane, që sot është anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtare të BE-së, sepse në themel të Europës së Bashkuar qëndrojnë vlerat demokratike dhe çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore.
Më lejoni që me këtë rast t’ju uroj përzemërsisht ditëlindjen tuaj të ‘90-të! Ju uroj një jetë të gjatë, me shëndet të plotë, dhe me këtë vitalitet e shpirt krijues që keni sot.
Ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin tuaj shumë të çmuar për Shqipërinë, për ushtrinë tonë dhe kombin shqiptar!”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës para se t’i dorëzonte dekoratën e lartë luftëtarit të lirisë, veteranit të LANÇ-it, Kolonelit Myfit Guxholli.
Duke e falenderuar Presidentin Meta për vlerësimin, Kolonel Myfit Guxholli në fjalën e Tij përshëndese theksoi ndër të tjera se “kjo Dekoratë e lartë i takon të gjithë atij brezi që e nisi jetën nga lufta për të kontribuar për çlirimin e Atdheut dhe përparimin e tij”.