Integrimi europian thërret në një tryezë, Metën dhe Ramën

Tuesday, 09 June 2020 09:42

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama priten të marrin pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.

Tema e kësaj mbledhjeje është: “Zhvillimet më të fundit në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe prezantimi i projekt-planit gjithëpërfshirës të masave të integrimit europian”.

Në takimin që do të afrojë së paku në një sallë, kreun e shtetit dhe kreun e qeverisë do të jenë edhe ambasadorët. Luigi Soreca, kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, pritet të thojë fjalën e tij.

Kryetare e Këshillit është deputetja Rudina Hajdari, që do t’ia japë fjalën liderëve.

 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është krijuar me Ligjin Nr. 15/2015, datë 05/03/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë ne BE” , si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit, me qëllim nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

Detyrat kryesore të tij përfshijnë:

Nxitja e bashkëpunimit midis forcave politike, institucioneve shtetërore dhe të pavarura dhe shoqërisë civile, në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

Sigurimi i diskutimit të vazhdueshëm për politikat e integrimit europian, të zbatuara nga institucionet shtetërore, me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë të interesuar;

Monitorimi i zbatimit të detyrimeve për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian;

Analizimi i kuadrit ekzistues normativ dhe praktikave, në lidhje me procesin e integrimit europian, për çështjet që merr në shqyrtim;

Sigurimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm për procesin e integrimit me komisionet e përhershme parlamentare dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për integrimin europian;

Monitorimi i ecurisë së procesit të negociatave/bisedimeve për anëtarësim.

Login to post comments