Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas refuzimit të një opinioni zyrtar nga EURALIUS dhe OPDAT në lidhje me mandatin e Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë, pas më shumë se një muaji ngërç, më në fund e fut në pikat e rendit të ditës në mbledhjen e së enjtes.
Pika e fundit e rendit të ditës: “Vijimi i shqyrtimit të çështjes në lidhje me problematikën e adresuar nga Presidenti i Republikës me Shkresën nr.1117/2 prot., datë 10.04.2020, lidhur me qëndrimin e mëtejshëm në detyrë të z.Ardian Dvorani si anëtar i Gjykatës së Lartë” pritet të ketë një përgjigje nga vetë KLGJ, e cila është e detyruar të zgjidhë situatën, pas refuzimit të ndërkombëtarëve, të cilët kanë qenë të qartë që kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm nga KLGJ.
Organizmat ndërkombëtarë EURALIUS dhe OPDAT kanë refuzuar që të japin opinionin e tyre lidhur me konfliktin ligjor mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kreut të KED, Ardian Dvorani.
Kërkesa për opinion iu drejtua nga Këshilli të Lartë Gjyqësor më 5 maj 2020 dhe u cilësua nga ekspertët si qesharake.
Në përgjigjen kthyer Këshillit, këto organizma shrehen se kërkesa rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale dhe se nuk japin opinione në të tilla situata.
“Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale. Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një çështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”.