Fatmir Mediu dhe Agron Duka: Opozita sot, e jo nesër, të dalë e stopojë aventurën e Ramës për Koalicionet Zgjedhore

Hënë, 15 June 2020 22:20

Loja e kryeministrit Rama me deputetët e ashtuquajtur opozita parlamentare, për të amenduar Kushtetutën e Shqipërisë, me qëllimin e heqjes nga Kushtetuta të nenit që lejon koalicionet parazgjedhore, mbetet një akt kriminal në dëm të stabilitetit të vendit.

I pyetur nga “Koha Jone”, Fatmir Mediu, kryetari i PR tha se “Nëse Rama heq kualicionet parazgjedhore bën një veprim antiligjor, antikushtetues, antikombëtar dhe përligj diktaturën”.

 

Media shtoi se duhet krejt opozita reale të ngrihet që sot e ti kërkojë llogari ndërkombëtarëve të cilët garantuan firmat në Marrëveshje. Opozita, tha Media, ka nevojë që të flasë sot, e jo nesër, për këtë lojë të kryeministrit Rama që po synon destabilitet, duke shkelur Marrëveshjen.

Ndërsa Agron Duka, kryetar i PAA tha: “Kjo mund të cilësohet si përpjekja e fundit dhe e dëshpëruar e një pushteti në ikje, i cili shpresat për fitore nuk i ka te alternativa, te propozimi, por te hilet politike, te intriga. Sigurisht është një përpjekje shqetësuese, por jam besimplotë se partnerët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë avancimin e një plani që ka të gjithë potencialin për të prodhuar destabilitet në vend. Edhe të huajt, që deri përpara pak kohëve ishin të kujdesshëm kur bëhej fjalë për qeverinë, e kanë kuptuar se ai është penguesi i zgjedhjeve të lira, është penguesi i ngritjes së drejtësisë së re, është penguesi i rrugës europiane të Shqipërisë. Ne si opozitë nuk do të pranojmë asgjë tjetër, përvec dakordësisë që arritëm në 5 qershor, dhe nuk do të lejojmë që agjenda europiane, që përkon me zbatimin e mëtejshëm të kushteve, të merret peng nga Edi Rama. Të gjitha mjetet diplomatike dhe politike, duke përfshirë këtu edhe protestat, do të përdoren me qëllim mbylljen e këtij kapitulli të shëmtuar të ‘Rilindjes’”

Login to post comments