E ftuar në Ora News, ish-deputetja e LSI-së Erisa Xhixho u shpreh se opozita ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për reformën zgjedhore.
Sipas saj, opozita krijoi disa garanci për ruajtjen e votës së shqiptarëve duke thënë se implementimi i kësaj reforme do të shihet në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo shtoi se fenomeni i vjedhjes së votës dhe kriminalizimi i parlamentit janë të gjitha të kësaj mazhorance.
Erisa Xhixho: Opozita ka bërë një hap shumë të rëndësishëm duke dhënë kontributin e saj me ekspertizë që u finalizua me 5 qershor, edhe pse deadline-i ishte me 15 mars, por u shty nga pandemia.
OSBE/ODHIR tha se ne e kemi ligjin zgjedhor, por nuk i zbatojmë për shkak të vullnetit politik. Fenomeni i vjedhjes së votës dhe kriminalizimi i parlamentit janë të gjitha të kësaj mazhorance. Janë dy dosje që presin përgjigje nga qytetarët shqiptarë dhe nuk po marrin përgjigje nga SPAK. Po ashtu kemi edhe përgjimet e BILD. Të gjithë e dinë se ky është problemi i vjedhjes së votës, i shtrembërimit të vullnetit të tyre.
Me marrëveshjen e këshillit politik janë vënë disa mekanizma garantuese dhe suksesi i reformës do të jetë i dukshëm në zgjedhjet e ardhshme që duhen zhvilluar sa më shpejt, pasi është një kusht i Bundestagut. Implementimi do të jetë sfida e kësaj reformë zgjedhore. Njëra prej tyre ishte identifikimi biometrik, që të mos merren kartat ID dhe të votojë një person tjetër.