Kreu i PD, Lulzim Basha takoi sot një familje fermerësh në Ndroq të Tiranës teksa thotë se nuk u surprizua pozitivisht pasi gjendja është e vështirë si kudo në Shqipëri.
Basha ndërkohë ka zbuluar se sipas një analize të departamentit të financave në PD, duke parë pagesat nga Thesari i Shtetit qeveria ka dhënë gjithsej për qytetarët 90 milionë euro, që do të thotë se shqiptarët morën na 10 euro në muaj gjatë 3 pandemisë.
”Më është dashur 10 minuta të vij nga rruga deri këtu, se rruga është si mos më keq. Jemi këtu në arrën e kësaj familje që ka mbjellë domate, zemër kau që e kam shumë përzemër. Kam ardhur këtu për të bashkëbiseduar me fermerët. S’kam asnjë suprizë pozitive sepse situata është këtu si kudo. Janë komplet jashtë vëmendjes. As kanë dëgjuar për subvencione jo më ta marrin. Punojnë gjithë ditën, kultivojnë domate, ose sipas zonave. Nuk kanë garanci as që do e nxjerrin në treg, dhe kur dalin në treg nuk kanë garanci që do e shesin.
Koston e prodhimit, koston e farës, plehrave, jo më të punës nuk e arrijnë. Maksimumi 3 kilometra nga kryeqyteti është Ndroqi dhe kështu është në gjithë Shqipërinë. Çdo taksë e tyre shkon për 4-5 oligarkë në vend që të shkojnë për këta fermerë që nuk kërkojnë lëmoshë sepse tokën e tyre punojnë.
Ditën e djeshme departamenti i financave në PD bëri një analizë të pagesave të Thesarit, a e dini sa para ka paguar qeveria që mburret, afro 90 milionë euro për gjithë shqiptarët për 3 muaj të pandemisë. Një tallje me taksa paguesit shqiptarë. Kanë marrë 10 euro për muaj shqiptarët në kohën që i duhej më shumë.”- tha Basha.