Zgjati gati dy orë mbledhja e Këshillit Politik për diskutimin e pikave të dakordësisë së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetari i këtij Këshilli, Oerd Bylykbashi tha se mazhoranca nuk dha dakordësi për propozimin e tyre në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve e KQZ.
Ndërsa palët nuk kanë gjetur dakordësi për mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e rinj të KQZ-së, sot Opozita ka bërë sot një propozim të ri për maxhorancën.
Sipas demokratëve, ky propozim është në përputhje me formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Opozita thotë se vendosi ta bëjë këtë hap për të mos futur në ngërç procesin, përsa kohë PS refuzoi që përzgjedhja e trupës së KQZ të niste me Avokatin e Popullit, siç ndodh edhe me organet e drejtësisë.
Propozimi i ri ka tre shtylla kryesore:
-Çon të gjithë procesin e përzgjedhjes në Kuvend,
-Reflekton dakortësinë e datës 5 Qershor
-Ruan formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për Reformën në Drejtësi
Opozita thekson se propozimi synon ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të KQZ së re, si dhe garancitë e palëve politike që përzgjedhja të mos jetë e njëanshme, por e balancuar dhe konsensuale.
Opozita vë në dukje se Partia Socialiste nuk është treguar e gatshme për kompromis gjatë diskutimit të çështjes. Demokratët pretendojnë se i kanë qendruar propozimit të muajit shkurt, i cili i siguron maxhorancës emërimin e të gjithë trupës së KQZ-së me një proces të pastër politik.
PS kërkon që anëtarët e KQZ-së të propozohen nga çdo deputet dhe të përzgjidhen nga një komision i përbërë nga grupet parlamentare, të cilat PS i kontrollon.