Banorët e një pallati në lagjen nr. 5 në Durrës kërkojnë ndërhyrjen e bashkisë dhe policisë, pasi pallati i tyre i dëmtuar nga tërmeti, rrezikon të shembet.
Disa prej banorëve janë grumbulluar sot para bashkisë dhe kërkuan largimin e banorëve që jetojnë akoma aty duke theksuar se edhe nga tërmeti i fundit disa ditë më parë, godina ka pësuar tjetër anim duke vënë në rrezik sidomos jetën e fëmijëve që luajnë atje.
Për pallatin në fjalë në bashki ka mbërritur ekspertiza e thelluar, sipas të cilës pallati duhet të rikonstruktohet. Një nga banorët shprehet se nuk është marrë parasysh studimi gjeologjik dhe kryerja e analizave që u la si detyrë nga inxhinierët e huaj që erdhën dhe e panë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Burime nga bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se për pallatin në fjalë si dhe pallate të tjerë që kanë dëmtime të ngjashme, do të merret për bazë vetëm ekspertiza e thelluar e institutit të ndërtimit dhe asgjë tjetër.