Presidenti Ilir Meta tha se shpreson që palët t’i qëndrojnë marrëveshjes së nënshkruar për Reformën Zgjedhore edhe pse, sipas Kreut të Shtetit, “ajo lë shumë për të dëshiruar në përmbajtje”.
Në konferencën e përjavshme për shtyp, Meta u shpreh se vendi është në një situatë kritike mosbesimi dhe “problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve”, duke theksuar se është koha për të kuptuar shqetësimet që vijnë nga partnerët evropianë.
“Qëndrimet i kam bërë të qarta prej kohesh dhe nuk dua të paragjykoj palët, uroj që palët ti qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar që lë mjaft për të dëshiruar në përmbajtje, por e dimë që jemi në situatë kritike, mosbesim të thellë dhe problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve, por është koha për të kuptuar seriozisht të gjitha këto shqetësime që vijnë nga partnerët evropianë, që bëjnë përpjekje për të lënë derën hapur, por nëse dera mbyllet të gjithë shqiptarët e kanë parasysh se kush e ka përgjegjësinë për këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në monitorim tepër të rreptë, nuk është formalitet, por edhe verifikim në praktikë se si zhvillohen zgjedhjet dhe si plotësohet ky kriter i Kopenhagenit”, tha Meta.