Presidenti i vendit, Ilir Meta ka kryer sot homazhe per nder të studiuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur Moikom Zeqo i ndarë nga jetë këtë të hënë për shkak të një sëmundje të rëndë.
Pasi është përkulur me nderim përprara trupit të Zeqos, i pari i shtetit la shënim edhe në librin e kujtimeve për të.
Ndërsa në një prononcim për gazetarët, Meta vlerësoi lart figurën e Zeqos, jo vetëm për punën si studiues e shkrimtar por edhe si politikan. Ai tha se Zeqo gjatë gjithë jetës së tij nuk bëri kurrë kompromise në dëm të interest kombëtar.
“Sot është një moment vërtet pikëllues dhe trishtues edhe për mua si President i Republikës, Erdha personalisht t’i jap lamtumirën e fundit një personaliteti të jashtëzakonshëm. Kam patur fatin ta lexoj para se ta njoh nga afër, edhe në momente të vështira dhe të mësoj mjaft prej tij. Është nga ata njerëz që për njohuritë dijet nga fushat më të ndryshme janë shumë të rrallë, aq më tepër në një vend si i yni. Mungesën e tij do ta ndjejmë në të ardhme për faktin se njohjet dhe dijet e tij i vuri në shërbim të kauzave kombëtare, publike, në shërbim të së vërtetës. Sot po lexoja një shkrim të Spiro Dedes, e kujtonte se si 50 vite më parë ndërsa Zeqo kishte përfytyrime që dukeshin imagjinare, bashkëmoshatarët e tij habiteshin, dhe ai me të drejtë ju thoshte: Ju nuk shihni. Si misionar që ishte ai kishte përfytyrime dhe ishte largpamës. U vendos gjithnjë në anën e duhur të historisë dhe zhvillimeve. Ishte një personalitet që i dha Shqipërisë shumë më tepër se sa mori prej saj. Dha kontribut të jashtëzakonshëm dhe la vepër po aq të jashtëzakonshme për mbrojtjen që i ka bërë historisë dhe kulturës sonë si dhe për vështrimin kritik që kërkonte një Shqipëri më të drejtë e më huname”,- tha Meta.
Sipas Metës, brenda PS-së ai ishte një nga kontributorët kryesorë të hapjes së saj, mbështeti hyrjen e të rinjve, përfshi atë dhe Majkon.
“Ishte një personalitet që mund të kalonte me PD në ‘90, por ai nuk i mohoi bindjet dhe karakterin e vetë, se ishte i majtë me bindje të forta demokratike. Këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës së tij. Ishte ndër kontribuesit kryesorë të hapjes së PS, në mbështetje të të rinjve si puna ime e Majko. Donte transformim të së majtës, në vitet më të errëta të saj në ’91-9., E qartë mbetet se edhe brenda familjes politike qëndroi një personalitet kritik dhe parimor, problematik me çdo lloj pushteti por i dashur dhe i adhuruar nga qytetarët, lexuesit dhe dashamirësit e pafund që vlerësonin virtytet e tij dhe njohuritë e tij si dhe pa bërë kompromis për të vendosur interesin e tij para interesit kombëtar”,- tha Presidenti ndër të tjera.