Reagon PD:Provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën

Saturday, 20 June 2020 14:33

 

PD ka reaguar përmes nënkryetarit Edmond Spaho, lidhur me opinionet e Komisionit të Venecias lidhur me Gjykatën kushtetuese si edhe ligjin ‘Antishpifje’. Në një deklaratë për mediat në seli, Spaho u shpreh se opinionet e fundit të Komisionit të Venecias, provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën.

“Ajo që na duhet për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian është një parlament dhe një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme. Ato janë hapi i parë dhe më i sigirtë për të bërë Shqipërinë si Europa.” u shpreh Spaho

Deklarata e plotë:
Me Edi Ramën në krye të qeverisë, Shqipëria ka mbetur shumë mbrapa me integrimin europian të vendit, ka mbetur shumë mbrapa me krijimin e kushteve që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët europianë.
Edhe dje, vendimi i Parlamentit Europian për 15 kushtet përpara nisjes së negociatave, provoi se me Edi Ramën, shqiptarët vetëm humbasin kohë të çmuar. Kushtet për hapjen e negociatave vetëm sa shtohen nga viti në vit.
Kur mori pushtetin ishin vetëm 3, tani janë 15 kushte për t’u plotësuar, në mënyrë që Shqipëria të nisë bisedimet për anëtarësim.
Opinionet e fundit të Komisionit të Venecias, për Gjykatën Kushtetuese dhe për ligjin e censurës së medias, provuan se 15 kushtet e integrimit nuk janë për Shqipërinë, por për Edi Ramën.
• Ligji i censurës është vepër e tij.
• Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është, gjithashtu, vepër e tij me qëllim kapjen e saj.
Të dyja janë pjesë e 15 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, të cilat lidhen edhe me një kusht të tretë. Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për legjitimitetin e votimeve të 30 Qershorit të vitit të kaluar. Prandaj Edi Rama e bllokoi dhe nisi konfliktin me Presidentin, derisa të sigurohej se skema e grabitjes së vendeve në Gjykatë Kushtetuese dhe kapja e saj do të funskiononte.
Sa më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese, sa më gjatë me gjyqtarë nën presion, aq më shumë përfiton Rama me vendimet e paligjshme, aq më shumë mbetemi peng në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.
Me vendimin e vet, Komisioni i Venecias e faktoi synimin e Edi Ramës për të kapur çdo organ të sistemit të drejtësisë, duke i grabitur Presidentit të drejtën kushtetuese për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti ka meritën se qëndroi në mbrojtje të Kushtetutës dhe nuk iu nënshtrua presionit kriminal të regjimit në ikje për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Për të fshehur të vërteta e keqqeverisjes së tij, Edi Rama tentoi t’i mbyllë gojën medias me ligjin e censurës. Njeriu që kontrollon pjesën më të madhe të televizioneve, me ligjin antidemokratik të censurës tentoi të mbajë nën presion edhe median online.
Edhe kjo tentativë antidemokratike e kryeministrit të kalbur nga korrupsioni 8 vjeçar, u frenua nga Komisioni i Venecias, duke i dhënë Shqipërisë shansin të përmbushë 2 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave.
Shqiptarët e kanë kuptuar se Edi Rama nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, sepse ai nuk e do integrimin. Ai e ka zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Të drejtat e qytetarëve nuk respektohen, vendet e punës janë të pasigurta, sepse qeveria dhe kryeministri i vendit janë lidhur dhe i shërbejnë një oligarkësh dhe kriminelësh, që mbajnë peng të ardhmen e vendit.
Ajo që na duhet për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian është një parlament dhe një qeveri e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme. Ato janë hapi i parë dhe më i sigirtë për të bërë Shqipërinë si Europa.

Login to post comments