15 kushtet e PE/ Fuga: Kërkon rithemelimin e shtetit shqiptar. E paplotësueshme nga kjo politikë

Saturday, 20 June 2020 19:36

Akademiku Artan Fuga i konsideron 15 kushtet ndaj Shqipërisë, të konfirmuara dy ditë më parë nga amendamenti i Parlamenti Europian, si të paplotësueshme nga politika aktuale shqiptare.

Përmes një reagimi në Facebook, ai shprehet se 15 kushtet janë për rithemelim të shtetit shqiptar pasi PE i kërkon qeverisë masa të drejta si hetimi i krimit zgjedhor, politikanëve, të korruptuarve që politika sunduese nuk i bën dot.

 
 

"Me 15 kushtet që konfirmoi Parlamenti Europian për të nisur negociatat e integrimit të Shqipërisë atje (për t’i nisur jo për t’i përfunduar!) i kërkon qeverisë të Shqipërisë, as më shumë dhe as më pak, të rithemelojë shtetin shqiptar, pra na thotë: Ju nuk keni ende shtet!", shkruan ndër të tjera Fuga.

 
 
 

Statusi i plotë i Fugës:

 
 

Çfarë ka përtej 15 kushteve herkuliane?

Me 15 kushtet që konfirmoi Parlamenti Europian për të nisur negociatat e integrimit të Shqipërisë atje (për t’i nisur jo për t’i përfunduar!) i kërkon qeverisë të Shqipërisë, as më shumë dhe as më pak, të rithemelojë shtetin shqiptar, pra na thotë: Ju nuk keni ende shtet!

Aq më tepër i kërkon qeverisë masa të drejta sikurse është hetimi i krimit zgjedhor, hetimi i politikanëve të korruptuar, çka politika sunduese nuk i bën dot!

Cfarë do të thotë kjo për mua?

Më konfirmon analizat dhe përfundimet te botimi im i ri:

ORIGJINAT E PUSHTETIT,PRONËS,PASURISË, në Shqipërinë pastotalitare, sapohedhur në treg nga PAPIRUS.

Sipas meje, dhe e kam të provuar me argumente, as Europa nuk na do të integrohemi kështu sikurse jemi, për arsye të tjera shumë më të thella sesa shprehin ato 15 kushte,

as politika sunduese në Shqipëri, shumë përfaqësues influent të biznesit të madh, por edhe të mesëm, as ata nuk duan dhe e minojnë me çfarë munden këtë integrim,

asnjë fuqi tjetër nuk ka ndonjë interes, larg apo afër me ne, që Shqipëria të hyjë në BE!

Deklaratat e zotit Soreca se 95 përqind e shqiptarëve duan integrimin mund të jenë edhe të sakta, por ai harron ose nuk e di që janë ata 5 përqind të tjerët që vendosin, nuk ne jemi ne skllevërit që e duam integrimin që vendosim, janë ata me të cilët ai bashkëbisedon, negocion !

Të gjithë thonë se duan atë që në fakt nuk dëshërojnë, prishin natën atë që gjoja bëjnë ditën për integrimin.

Pse ndodh kjo?

Unë ju ftoj te analizat e kapitujve përkatës të dy librave të botimit : “ORIGJINAT E PUSHTETIT,PRONËS,PASURISË, në Shqipërinë pastotalitare” ku do ta kuptoni shumë qartë dhe thjeshtë.

Do të shihni se kërkesa për të plotësuar 15 ose 150 kushte, janë si kërkesat që iu bënë Herkulit, ose si kërkesat e Mbretit të përrallës për djalin që do të merrte për nuse vajzën e tij! Të paplotësueshme nga kjo politikë.

Gjendja jonë është në ditë të hallit, por e vërteta qendron më thellë, nuk është ajo që duket. Kot luajnë pingpong jo kërkohet jo nuk kërkohet plotësimi i 15 kushteve!!!

Lëreni tymin, shkoni te zjarri!

Login to post comments