“Për ndonjë diplomat lipset më shumë vetëpërmbajtje”, Genc Pollo: Drama e vërtetë e Shqipërisë është…

Hënë, 22 June 2020 12:32

Ish-ministri i PD-së Genc Pollo bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për shtimin e kushteve nga Brukseli për hapjen e negociatave. Z.Pollo shprehet për “Gazeta Shqiptare” se nga 5 kushtet që ishin në vitin 2014 kur morëm statusin kandidat, u bëmë me 9 kushtet e Bundestagut pesë vjet më vonë dhe në 2020 kur Maqedonia e Veriut merr negociatat pa kushte BE për Shqipërinë e çon numrin tyre në 15. Sipas Genc Pollos në mënyrë grafike kjo rritje kushtesh dëfton përkeqësimin e treguesve të demokracisë, e shtetit ligjor në këto 6 vjet me kryeministër Edi Ramën. Por për ish- deputetin demokrat më keq akoma është të refuzosh realitetin e të thuash kushtet nuk ekzistojë, siç bën Edi Rama. “Mohimi i 15 kushteve, pra është problem më serioz se sa vetë kushtet”, – shprehet z.Pollo.

Zoti Pollo, në fund të javës që sapo kaloi debati u dominua nga rezoluta në Parlamentin Europian ku u theksuan 15 kushtet për Shqipërinë që duhen përmbushur para hapjes së negociatave. Kryeministri Edi Rama akuzoi PD-në për nxitëse të amendamentit sepse ai u propozua nga aleatët tuaj në PPE. Madje e quajti një hap jo konsensual…

 

Këtë akuzë Partia Demokratike apo kushdo qoftë mund ta konsideronte një kompliment; por vetëm nëse vendi nuk do të ishte në pikë të hallit, siç e reflekton edhe përmbajtja e rezolutës me 15 kushtet. Më tej habitem pak me z.Rama që kritikon moskonsensusin e pretenduar në Bruksel: së pari, pasi ai shpesh vetëprezantohet si politikan mazhoritarist e decizionist që refuzon në parim konsensusin; tashti papritur Rama e vuan mungesën e tij diku tjetër, në Parlamentin Europian. Më tej ju them atë që e dini se amendmentet janë një praktikë konstante e demokracisë parlamentare. Më tej akoma ju kujtoj se amendamenti i 15 kushteve mori afro 60% të votave majtas e djathtas ndërsa rezoluta me amendament brenda mori edhe më shumë: afro 80% të votave. Ramës si kryeministër nuk i ka shkuar ndonjëherë në mendje të kapi shumica të tilla në Kuvend përmes dialogut e kompromisit me opozitën. Hiq këtu rastet me përfshirjen e ndërkombëtarëve. Ende më tej akoma e lexova me ëndje intervistën e eurodeputetit socialist e kroat Picula, raporteri i rezolutës, i cili e çmonte amendamentin në fjalë si detajim i kushteve faktike të vendosura nga Këshilli Europian dhe nuk ishte i pakënaqur me të. Ju a rekomandoj ta lexoni!

 

Drama e vërtetë e Shqipërisë është që zhytemi në kësisoj pseudodebatesh në vend që të përqendrohemi tek thelbi i gjërave.

 

…Dhe sipas jush cili është thelbi i gjerave?

Thelbi është që kishim 5 kushte në vitin 2014 kur morëm statusin kandidat, u bëmë me 9 kushtet Bundestagut pesë vjet më vonë dhe në 2020 kur Maqedonia e Veriut merr negociatat pa kushte BE për Shqipërinë e çon numrin tyre në 15. Në mënyrë grafike kjo rritje e kushtesh dëften përkeqësimin e treguesve të demokracisë, e shtetit ligjor në këto 6 vjet me kryeministër Edi Ramën. Kjo është keq. Por më keq akoma është të refuzosh realitetin e të thuash kushtet nuk ekzistojë siç bën ai. Domethënë që as nuk do të tentojë t’i përmbushë pasi zgjidhja e problemit mund të bëhet vetëm mbasi pranon se ke një problem. Mohimi i 15 kushteve, pra është problem më serioz se sa vetë kushtet.

Por zëdhënësja e Komisionit Europian foli me gjuhë tjetër për kushtet ndaj Shqipërisë madje duke i mohuar ato…

Komisioni mendon se shumica e kushteve duhet përmbushur para konferencës ndërqeveritare të parë dhe resto para konferencës së dytë. Mund të jetë fare mirë kështu po ra dakord edhe Këshilli (shtetet anëtare). Për ne nuk ndryshon asgjë pasi mbeten prapë 15 kushte para se të çelen negociatat; gjë që ndodh pas konferencës së dytë.

Ju shihni diferenca mes Komisionit e Këshillit?

Nuk e di këtë. Por fjalën e fundit e ka Këshilli ndërsa Komisioni vetëm propozon. Shqipëria gjatë tre viteve të fundit e provoi në lëkurën e vet këtë ndarje rolesh.

Qeveria fajëson opozitën se po nxit artificialisht kushtet përmes politikanëve europianë të afërt me të. A ka të drejtë qeveria në këtë rast?

Qeveria që mbuloi vendin me drogë për të bërë para dhe që bëri para për të blerë vota nuk mund ta thotë këtë seriozisht.

Megjithatë kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se po hedh baltë në anglisht mbi Shqipërinë dhe që po dërgohet në Europë…

Z.Rama vitin e kaluar miratoi me kokëfortësi ligjet ‘antifjalë’ si dhe i hyri detit në këmbë për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Venecia foli dhe e rrëzoi. Ja pra në 30 sekonda bisedë u përmendën katër kushte. Perifrazojmë shprehjen “kur ke miq të tillë ç’të duhen armiqtë?” në “kur prodhon kushte të tilla ç’të hyn në punë balta?”

Përmes një deklarate ju falënderuat eurodeputetët e djathtë e të majtë për rezolutën… Çfarë kishit parasysh konkretisht?

Përmbushja e 15 kushteve ndihmon në restaurimin e normalitetit demokratik; e pastaj në çeljen e negociatave. Kush është dashamirës i popullit shqiptar dhe mik i një Shqipërie europiane lipset të insistojë pareshtur, mundësisht duke bërtitur në kupë të qiellit, për përmbushjen e tyre.

A mos po i mistifikoni 15 kushtet e vëna nga Brukseli ndaj Shqipërisë?

Nuk jam kundër që t’i quajmë dekapentalogu apo 15 urdhëresat shekullare. Por të ndalemi këtu! Nuk dua të krahasoj asnjë nga anëtarët e Këshillit Europian me Moisiun biblik.

Kundrejt kësaj qeveria “Rama”, e prezantoi një plan veprimi para dy javësh për çështjen e integrimit duke specifikuar përparësit e këtij procesi…

Qeveria prezantoi një plan më 9 qershor me titull “15 përparësi për t’u përmbushur deri në Konferencën e Parë Ndërqeveritare”. Të nesërmen Edi Rama deklaroi se absolutisht 15 kushtet përpara Konferencën e Parë Ndërqeveritare absolutisht nuk ekzistojnë! E kush mund ta quajë gënjeshtar? Ai foli për kushte e jo për përparësi! Pra, jetojmë me politikën e gallatës permanente.

Për më tepër ky plan ishte formuluar keq e me mangësi, fshihte kushtin e ndëshkimit penal të votëblerësve (kushti 8), neglizhonte kushtin për luftën kundër pastrimit të parave (kushti 4), sinjalizon ndërhyrje tek gjyqësori e kështu me radhë. Për më tepër nëse e kishin vërtet merak integrimin europian do kishin përgatitur që në janar sepse kushtet diheshin. Dhe në 26 mars ta shpallnin për konsultim.

Realisht a ekziston diçka për të cilën i jepni të drejtë Edi Ramës?

Kur thotë “lani duart“! (qesh)

Flas për qëndrime politike…

Kur thotë se listat e hapura nuk sjellin mrekullinë! Si dhe kur shpreh bezdinë për negociatat zgjedhore në ambasada të huaja. Kështu mendoj se bezdisem edhe unë. Problemi me Ramën është që edhe në këtë rast nuk pranon përgjegjësinë e tij.

Përse është pikërisht Kryeministri përgjegjës?

Për listat e hapura ai nxit në Kuvend kukullat që ka përballë dhe pastaj i refuzon ato me vartësit që ka përkrah. Ndërsa negociatat në ambasadë do të ishin evituar sikur Rama të mos insistonte të zëvendësonte komisionerët e opozitës me nëpunës qeveritarë duke u kapur mbas një rekomandimi jo prioritar e jo aktual të ODIHR-it.

Nga opozita dalin zëra kritikë për ambasadorë të caktuar. Ju i mbështetni ata?

Kritikën, lavdërimin e në përgjithësi debatin publik me diplomatët unë do të doja ta evitoja. Komuniteti euroatlantik ka investuar shumë në demokracinë shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre përveçse kanë përcjellë udhëzimet e autoriteteve të tyre shpesh kanë kontribuar dobishëm edhe në konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik.

Pra, asnjë kritikë?

Meqë insistoni: lexoj se ndonjë diplomat i huaj shpreh në publik dëshirat e popullit shqiptar. Nuk di se si komunikon ai me popullin tonë; përmes sondazheve të opinionit apo ndonjë gypi magjik? Jam kurioz për këtë. Pastaj lexoj se diplomati në fjalë këto dëshira të popullit tonë ja përcjell publikisht politikanëve të zgjedhur nga ky popull si porosi për t’u zbatuar.

Mendoj se ajo që njihet si përunjësi e krishterë, një normë e rëndësishme edhe në judaizëm e Islam, do të ndihmonte për pak më shumë vetëpërmbajtje./gsh.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...