Nga DW
Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është në krye të listës prej 15 kushtesh, që disa vende të BE kanë kërkuar nga Shqipëria, para fillimit “de facto” të negociatave të anëtarësimit.
Në krye të listës prej 15 kushtesh, që Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka dhe Spanja i kërkuan Këshillit Europian që t’i plotësojë Shqipëria, për fillimin “de facto” të negociatave të anëtarësimit është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht këtë përqasje e përforcoi Parlamenti Europian ditët e fundit, kur publikoi fundjavën e kaluar, votimin pro të një amendimi vetëm për Shqipërinë, në rezolutën e tij për gjithë Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të politikës së zgjerimit të BE në këtë rajon.
Amendimi, i kërkuar nga grupi i Partive Popullore Europiane, ka të bëjë me përfshirjen në këtë rezolutë, të plotësimit të këtyre kushteve para zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare të vendeve anëtare të BE. Në krye të tyre mbetet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, (GJK) e cila prej dy vitesh nuk funksionon ngaqë vettingu nxorri jashtë sistemit shumicën e trupës së gjyqtarëve të saj, kryesisht për mos justifikim të pasurisë.
Procesi për emërimin e trupës së re të gjyqtarëve kushtetues ka ngrirë që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur Presidenti Meta e bllokoi atë duke mos thirrur për t’u betuar një kandidate për anëtare të GJK, të miratuar në Parlament dhe të mbështetur nga maxhoranca socialiste.
Albanien, Tirana: Ausschreitungen bei Anti-Regierungsprotesten (DW/A. Ruci)
Protesta të opozitës kundër qeverisë Rama, 2 qershor 2019
Si mund të zhbllokohet procesi?
Përgjigja erdhi javën e kaluar nga ekspertët e Komisionit të Venecias, (KV): Kushtetuta e Shqipërisë ka vakuum, zbrazëti lidhur me procedurat e emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Rekomandohen ndryshime të Kushtetutës për ta qartësuar dhe lehtësuar këtë procedurë, si edhe garantuar një mandat të plotë, 9 vjeꞔar për secilin prej gjykatësve kushtetues, shkruan ky komision në opinionin e tij, të kërkuar nga kryetari socialist i Parlamentit, Gramoz Ruꞔi.
“Kushtetuta shqiptare e bën të qartë se betimi para Presidentit është një parakusht për marrjen e detyrës”, thekson KV në opinionin e tij.
Në vijim të një tradite pothuase të konsoliduar, palët politike në Shqipëri e interpretojnë në mënyra të ndryshme rekomandimin e KV: Presidenti Meta e quan fitore të sloganit të tij, ”Kushtetuta e para”; opozita jashtë parlamentare e konsideron “hedhje poshtë të nismës ligjore të maxhorancës socialiste për të zhbllokuar procesin, nismë që ligjëron alternativen e betimi me shkrim, kur Presidenti nuk thërret një kandidat /e të miratuar në Parlament të bëjë betimin para tij; maxhoranca socialiste e kritikon perceptimin me “fitore” dhe e sheh atë si “tregues të mos shqetësimit për demokracinë, ligjin dhe standardet”.
Kryetari i grupit parlamentar të PS , Taulant Balla, në një konferencë për shtyp, interpretoi rekomandimin duke thënë se “Venecia u ka dhënë të të drejtë të dyja palëve. Komisioni pranoi vendosjen në Kushtetutë të mekanizmit zhbllokues”. Balla i bëri thirrje Presidentit Meta dhe opozitës jashtë parlamentit të kryesuar nga PD të “bashkëpunojnë për të bërë ndryshimet në kushtetutë lidhur me betimin e kandidatëve për anëtarë të GJK”.
A do të bashkëpunojnë palët që GJK të funksionojë?
Marrja e opinionit të Venecias për procedurat e emërimit të gjyqtarëe kushtetues është praktika e përdorur rëndom nga politikanët e Tiranës: adresimi tek një arbitër ndërkombëtar për të zgjidhur konfliktin mes palëve si pranim i paaftësisë së aktorëve politikë, që të merren vesh mes tyre, të bëjnë kompromise dhe gjejnë zgjidhje.
Por zhbllokimi i procesit të plotësimit të trupës së gjykatësve kushtetues prej 9 vetësh – deri tani janë emëruar vetëm katër, me të cilët GJK nuk mund të funksionojë – shkon përtej interesave të palëve: zvarritja e funksionimit të GJK pengon hapjen e negociatave të anëtarësimit, një zhvillim historik të dëshëruar nga 97 % e shqiptarëve.
Aleksander Çipa
Në këtë kontekst, PE foli qartë fundjavën e kaliar, kur përfshiu në rezolutën për BP, amendimin e propozuar nga grupi i Partive Popullore Europiane,- simotra me PD, që vazhdon të jetë jashtë sistemit politik, që nga shkurti 2019, kur braktisi parlamentin,- që lidhet me listën e sipërpërmendur të 15 kushteve që Shqipëria duhe të plotësojë para zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare të vendeve të BE, që është planifikuar të mbahet në pranverën 2021.
Nisur nga interesi madhor i Shqipërisë për hapjen e negociatave, pritshmëritë janë që palët të bashkëpunojnë për të plotësuar zbrazëtinë që konstaton KV në Kushtetutë lidhur me procedurat e emërimit të gjykatësve kushtetues, duke lënë mënjanë interesat e tyre politike.
Konkretisht, shkarkimin ose jo të Presidentit Meta dhe ligjshmërinë ose jo të Lokaleve 2019 e vendos vetëm GJK. Pikërisht kjo i pozicionon palët në konflikt interesi në raport me këtë gjykatë. Secila synon të ketë në anën e saj sa më shumë anëtarë të trupës së re të GJK.
Analistët: Zgjidhja tek vendim-marrja finale e GJK
Aleksandër Çipa, analist i pavarur, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë thotë për DW se përplasjet për emërimet në GJK e kanë bazën në “interesa të aktorëve të lidershipit politik për llogari të rikapjes së sistemit të ri drejtësisë”. Në funksion të këtyre interesave palët kanë lëshuar akuza të rënda dhe ndërmarrë veprime kundër njëra tjetrës. Presidenti Meta ka akuzuar qeverinë Rama për “grusht shteti përmes sistemit të ri të drejtësisë, shkelje të kushtetutës, lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar,” dhe ka bërë thirrje për rrëzimin e Ramës në protestën mbarëkombëtare të 2 marsit të kaluar, si reagim ndaj ndryshimeve ligjore që maxhoranca socialiste miratoi në Parlament për procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, ndryshime që i hoqën Presidentit ekskluzivitetin e betimit në Presidencë, që i hap rrugën fillimit të punës në GJK.
Afrim Krasniqi
Maxhoranca socialiste nga ana e saj, po e çon përpara procedurën për shkarkimin e Presidentit Meta për anullimin e datës së Lokaleve 2019 edhe pse KV nuk e konsideron shkelje të Kushtetutës që meriton shkarkim. Dialogu mes Presidencës dhe Parlamentit për të përshpejtuar funksionimin e GJK nuk po jep shenja të rifillojë.
Prof. Afrim Krasniqi, Drejtues i Institutit për Studime Politik, thotë për DW se “mungesa e dialogut mes dy institucioneve, Presidencës dhe Parlamentit ka sjellë përdorim të mjeteve populiste për axhenda politike, të cilave u jep fund vetëm funksionimi i GJK, vendim-marrja e saj finale.” Mungesa e dialogut tregon se kriza e besimit mes palëve mbetet e thellë. Parlamenti Europian me vendosjen e 15 kushteve për Shqipërinë në rezoluten mbështetëse ndaj zgjerimit të BE në BP dhe rekomandimet e KV janë sinjale të qarta: perspektiva europiane e Shqipërisë është shumë më e ꞔmuar dhe jetëgjatë se interesat e politikanëve të përkohshëm drejtues. Funksionimi i GJK rikthehet në rend të ditës dhe nuk mund të vazhdojë të mbetet peng interesash politike.