Qeveria e Kosovës, shpalli të martën grupin militant Hezbollah, organizatë terroriste, duke përfshirë të gjith formacionet e tij, politike dhe ushtarake.
Në një postim në rrjetin twitter, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria e tij mbështet të gjitha nismat globale për paqen dhe sigurinë në botë.
Vendimi pasoi propozimin e ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, e cila shkroi se „marrja e një hapi të tillë të rëndësishëm kontribuon edhe në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si aleate strategjike, Bashkimin Evropian dhe partnerë tjerë, për eliminimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Kosovës dhe partnerëve të saj”.
Hezbollahu, konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Arabia Saudite dhe disa vende tjera të Bashkimit Evropian.
Në qershorin e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një dekreti kërkoi nga institucionet e sigurisë që të hartojnë një listë dhe masat kufizuese ndaj personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.
Dekreti i presidentit kërkonte nga institucionet vendase të sigurisë që deri te hartimi i listës, Kosova të zbatojë listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.
Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, ndërsa është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste./VOA