Xhixho: Mazhoranca arrogante dhe agresive ndaj medias
15 kushtet për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian, për nënkryetaren e LSI-së, Erisa Xhixho, duhet që qeveria ti plotësojë. Xhixho thotë edhe se kryeministri Edi Rama duhet të nisë nga puna në vend që të mohojë ekzistencën e kushteve.
”Kjo maxhorancë e qeveri duhet të krijonte një plan veprimi për përmbushjen e këtyre detyrimeve, pasi flasim për një interes kombëtar dhe përgjegjshmëria nuk erdhi me një tavolinë dateline-sh për përmbushjen e këtyre detyrimeve, por përkundrazi u përdor si strategji për të mohuar ekzistencën e këtyre kushteve, duke shkuar në anën e kundërt të interesit kombëtar. Deklaratat e fundit në PE janë një kambanë alarmi për procesin e integrimit dhe tregon sesa e ka larguar ky kryeministër Shqipërinë nga integrimi”,tha për report tv.
Nga ana tjetër, Xhixho nuk i heq asnjë presje deklaratave të Presidentit Ilir Meta se Venecia i dha të drejtë atij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
”Përsa i përket raportit të Komisionit të Venecias për betimin, ajo e thotë shumë qartë se kur mund të ndryshohet Kushtetuta, apo procesi i betimit sepse ai nuk është thjesht një moment solemn, por edhe filtri i fundit i procedurave që ka kaluar gjyqtari që pretendon të emërohet në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që raporti i Komisionit të Venecias dhe momenti ku ai reflekton Vettingun duke shprehur rezerva si një proces që duhet rishqyrtuar, si një proces që ka lënë jashtë funksionit Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese”.