Kryetari i Panelit të Përzgjedhjes së Kandidatëve në Partinë Konservatore në pushtet në Britaninë e Madhe, David Jones ka vlerësuar procesin e Partisë Demokratike për zgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia.
Jones përmes një mesazhi në Twitter ishte entuziast për efektet e vendimit të marrë nga PD.
“Urimet më të mira për Partinë Demokratike të Shqipërisë në ushtrimin më të madh demokratik që është bërë ndonjëherë në Shqipëri për mënyrën sesi zgjidhen kandidatët. Jam shumë i kënaqur që pata një rol bashkë me Partinë Konservatore dhe mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan me Thibault Muzergues”- shprehet kreu i strukturës përgjegjëse për zgjedhjen e kandidatëve konservatorë britanikë.
Thibault Muzergues, të cilit ai i referohet, është Drejtori i Programit për Europën pranë Institutit Republikan Amerikan të Partisë Republikane në SHBA. Kujtojmë se një ditë më parë ata vlerësuan procesin e zgjedhjeve të nisur nga kryetari Lulzim Basha dhe PD, duke e cilësuar si një hap të madh e të guximshëm.