Presidenti i Republikës Ilir Meta reagon pas lajmit për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles shqiptare Besim Zekthi.
Përmes një mesazhi në Facebook, kreu i shtetit shpreh dhimbjen e tij për humbjen e madhe si dhe vlerëson aktivitetin artistik të Zekthit.
Mesazhi i plotë i Metës:
"LAMTUMIRË KRYESHQIPONJA E VALLES SË SHQIPEVE, BESIM ZEKTHI!
Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese.
Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.
Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.
Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi.
Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi.
Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve.
Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!".
Besim Zekthi u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 84-vjeçare. Mes shumë çmimeve ai mbarte edhe titullin "Nderi i Kombit".