Ajo thotë ndër të tjera se Zekthi ishte emblema dhe simboli i valles shqiptare.
STATUSI I PLOTE
I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se është ndarë nga jeta Besim Zekthi, emblema dhe simboli i valles shqiptare!
I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se pushoi së rrahuri zemra e Besim Zekthit, njërit prej artistëve më të dashur të shqiptarëve!
Ndaj nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen e madhe që ndjej.
Por, ndërsa përpiqem të shkruaj këto rradhë ngushëllimi për familjen e tij, për Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, shqipe e të cilit ai qe dhe do të mbetet gjithmonë, si dhe për të gjithë botën shqiptare të artistëve, për humbjen e madhe dhe të pazëvendësueshme, kam në sy imazhin e tij aq krenar e stoik si kreshnikët, me kërcimin magjepsës; sa burrëror dhe elegant njëherësh, gjithë temperament dhe ndjeshmëri, të cilat vetëm Besim Zekthi mund t’i zotëronte dhe të na i dhuronte me perfeksionin e një mjeshtri që meritoi dhe meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen e një kombi të tërë!
Ashtu, me atë imazh do të jetë Besim Zekthi përjetë në kujtesën e shqiptarëve, të cilëve ai iu fali dashurinë e shpirtit të tij.
Lamtumirë Besimi ynë i dashur!
Të ndrittë shpirti dhe u prehsh në paqe, Besimi ynë i pazëvendësueshëm dhe i paharrueshëm!