Opozita e bashkuar ka deklaruar se sot ka përfunduar kodifikimi me konsensus i marrëveshjes së arritur në 5 qershor në lidhje me Reformën Zgjedhore.
Në një deklaratë për mediat, opozita kërkon miratimin sa më shpejt të draftit të propozuar zyrtarisht në Kuvend, sipas marrëveshjes së 14 Janarit 2020.
Deklarata e opozitës së Bashkuar:
Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit.
Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike.
Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik.
Opozita e Bashkuar falënderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve.