Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tjetër padi në SPAK: U kryen veprime kriminale. Kanë nisur hetimet. Shumë shpejt gjërat do lëvizin

Premte, 03 July 2020 11:50

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar një tjetër padi sot në SPAK për Teatrin Kombëtar që u shemb mëngjesin e 17 majit me vendim të Këshillit Bashkiak.

Juristja Adriana Kalaja tha për mediat se të paditur janë kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj etj.
Kalaja tha se me Teatrin u kryen veprime kriminale por se kanë shpresë se gjërat do lëvizin pasi kanë nisur hetimet.

“U kryen veprime kriminale. Të gjitha veprimet që janë bërë nga kryeministri, qoftë ish-ministrja Kumbaro, ministrja Margariti, drejtori i kadastrës etj kanë bërë veprime kriminale.
I kemi kallëzuar për shpërdorim detyre, korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion pasiv.
Ne shpresojmë dhe besojmë se jemi të gjithë dëshmitarë të reagimit të Parlamentit Europian. Fakti që vijmë pranë SPAK besojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt gjërat do lëvizin dhe kemi marrë një informacion që SPAK ka nisur hetimet”, deklaroi Kalaja.

Login to post comments