TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se do të ketë një tjetër mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nëse është e nevojshme referuar situatës nga COVID-19.
Por ndërkohë Kreu i Shtetit deklaroi se ka kërkuar një takim me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ai iu bëri apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes dhe të jenë të kujdesshëm.
“Janë zhvilluar disa mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare dhe padyshim dhe në të ardhmen nëse do të duhet. Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e shëndetësisë dhe besoj sa më shpejt do e realizojmë në mënyrë që të gjykojmë së bashku se cila do jetë mbështetja më e madhe që mund të japë presidenti. por çdo qytetar duhet të sillet vetë në mënyrë më të përgjegjshme, të kujdesshme për jetën e tij, të familjarëve, miqve kudo që jeton e punon pasi duket që ka një shkujdesje që ka sjellë një përkeqësim të treguesve dhe kjo nuk na ndihmon të hapemi as me vendet e BE. Nëse do jetë e nevojshme një mbledhje e tillë patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë një gjë të tillë. Duhet më shumë transparencë, profesionalizëm dhe masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor i cili është në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi”, deklaroi Meta.