Dr.Bujar Leskaj, Kryetari historik dhe themeluesi i KLSH-së moderne

E mërkurë, 08 July 2020 15:34

KLSH-ja më në fund arriti në linjën e finishit me zgjedhjen nga Kuvendi të Kryetarit të ri Arben Shehu. Për rreth 8 vite e gjysmë, Dr. Bujar Leskaj qëndroi në krye të KLSH-së duke u bërë kështu Kryetari me mandatin më të gjatë në historinë 100 vjeçare të KLSH-së. Natyrisht, qëndrimi rreth 1 vit e 6 muaj përtej mandatit 7 vjeçar nuk ishte një dëshirë apo ambicie për t’u kapur pas karriges, por ngërçi ishte i tillë saqë KLSH-ja s’bënte dot pa Dr.Leskajn. Natyrisht, u krijua kjo simbiozë mes institucionit të KLSH dhe personalitetit të Dr. Bujar Leskajt, e cila nuk duhet keqkuptuar me kultin e individit, por në thelb ajo duhet të shihet me atë fenomenin e shkrirjes së institucionit me një burrë-shteti, e cila përbën veçantinë e institucioneve demokratike europiane. Pikërisht, kjo lexohet edhe tek vlerësimi i Presidentit Ilir Meta gjatë takimit me 6 korrik me Dr. Bujar Leskaj, me rastin e dorëzimit të detyrës së tij, ku Kreu i Shtetit e falënderoi zotin Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore. Takimi kishte edhe një domethënie artistike dhe simbolike, në sfond me pikturës shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali ku trashëgimia politike dhe patriotike e të madhit Ismail Qemali spikat si rrjedhë vijuese edhe tek përfundimi me sukses i detyrës nga Dr. Leskaj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion unikal, një dhe i vetëm, në repertorin e institucioneve shqiptare dhe megjithatë, ai ka qenë i përhumbur në atë karvanin burokratik të administratës, të cilat kanë rendur mbi dërrasat e kalbura të tranzicionit shqiptar. Si ogur i mirë, 100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti KLSH-në me një Kryetar të ri, dr. Bujar Leskaj, personaliteti i të cilit ka qenë më i zëshëm se vet KLSH-ja e inspektimeve të zymta të 20 vjeçarit të tranzicionit. Mund të duket provinciale t’i kujtosh dikujt origjinën ku është rritur dhe mbrujtur, po përkatësia vlonjate është puqur më shumë me institucionin, më saktë në një konvergim historik, marrë parasysh faktin se themelimi i Këshillit Kontrollues në 1925 qe një propozim i deputetit të Vlorës, Mustafa Tragjasi, i cili mbi domosdoshmërinë për ngritjen e një institucioni auditimi do të shprehej se: “Populli po thotë se taksat jam tue i paguar, por nuk jam duke ditur se ku po prishen. Edhe për t’i dhënë një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim është e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat dhe të prishurat”.

Shumëkush mund të flasë dhe të shkruaj gjithfarë qokash për dikë, por në rastin konkret, t’i thurësh artificialisht lavde është një mohim i punës reale të Dr. Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Si një institucion me mandat të gjerë 7 vjeçar drejtimi, Kryetarin Leskaj duhet ta shkëpusim nga e përgjithshmja, pra nga cikli i rotacioneve të kryetarëve sepse ai, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk do të bëjë pjesë tek grupi i ish-kryetarëve, por do të mbetet si kryetari i themelimit të KLSH-së moderne, ose një Kryetar emeritus i KLSH-së.

Arkitektura e re menaxheriale dhe audituese e KLSH-së ka një dëshmitar kyç, verba volant, scripta manent thotë latini, pra ligjin e ri 154/2014 të funksionimit dhe organizimit të KLSH-së. Me të drejtë, ky ligj mund të pagëzohet si Ligji “Leskaj” i KLSH-së sepse është hartuar dhe miratuar falë përkushtimit dhe vendosmërisë personale të Dr. Bujar Leskajt. Sinqeriteti i kësaj vendosmërie lexohet qartë tek thirrja e tij se do jepte dorëheqjen si Kryetar i sapozgjedhur në rast të mosmiratimit nga maxhoranca e majtë të këtij ligji. Kësaj sipërmarrjeje të Kryetarit Leskaj iu bashkua një aleat i fuqishëm i shqiptarëve, Bashkimi Europian, i cili e “kërcënoi” qeverinë e majtë se nuk do ti lëvronte rreth 40 milion euro nëse nuk do të miratonte ligjin “Leskaj” të KLSH-së.

Nëse do të bëjmë një bilanc, në dy vitet e para, përmes këtij ligji të ri, Dr. Bujar Leskaj arriti t’i jepte KLSH-së ato atribute që s’mori përgjatë 20 viteve. Sot, KLSH-ja është i vetmi institucion shqiptar që ka një ligj identik me simotrat europiane. U zhbë termi kontroll dhe u gdhend fjala auditim dhe u vendos fjalori dhe metodologjia euro-atlantike e auditimit, përfshirë auditimin e performancës që Perëndimi filloi ta realizonte qysh në fund të viteve ’70. Miratimi i këtij ligji është një nga ato pak arritje që regjistrohen në progres-raportet e Bashkimit Europian, pra angazhimi i tij është përkthyer në një përfitim për të gjithë shqiptarët në kuadër të përafrimit me BE-në.

Shtatë vjet të Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë prodhuar shumë shifra, por tek puna e tij ka diçka më të çmuar për t’u qëmtuar se 6.2 miliardë euro dëm ekonomik të zbuluar në 8 vite apo një kallëzim penal në javë: Sjellja prej shtetari!- ajo çka sot duket edhe me e rrallë, për të mos thënë inekzistente. Në fakt, para se të ketë vepruar si Kryetar i KLSH-së, ai ka vepruar si patriot dhe shtetar. Janë këto dy veti që e kanë bërë KLSH-në një institucion pararojë ndër institucionet shqiptare, madje mund të themi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duket si para kohe në krahasim me institucione e tjera, mbarëvajtja e të cilave është bjerrë nga llurba korruptive dhe ambicia për t’u kapur me kthetra pas pushtetit. Pështjellimet politike dhe veçanërisht korruptive i kanë ngecur në kapsulën e kohës së tranzicionit institucionet shqiptare ndërsa KLSH ka arritur spikamën e vet dhe është i pari që ka shkelur finishin e integrimit europian, duke u pozicionuar si një kalorës i vetëm në luftën kundër korrupsionit. Si kryetar i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj ka vepruar në njëfarë mënyre edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si një përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Kujtojmë këtu se nënshkrimi i marrëveshjes së parë, si Kryetar i KLSH-së, ka qenë me Zyrën Kombëtare të Kosovës, dhe kjo përzgjedhje nuk është rastësore, por tërësore në patriotikën e vet. Po ashtu, vizitat e tij jashtë vendit kanë pasur në qendër lobimin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të auditimit. Me rëndësi për t’u theksuar është edhe auditimi mbi bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri, i cili shërben si busull për atë sesi mund të bëhet ky bashkim.

Në raport me Bashkimin Europian, KLSH-ja ka spikatur si aleati më i besueshëm për kontrollin dhe monitorimin e financave publike duke u shndërruar në një partner i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe të Komisionit Europian, përmes direktoratit të përgjithshëm për buxhetin e BE-së, “DG Budged”.

Marrëdhënia me SHBA është harlisur më tej përmes një bashkëpunimi origjinal dhe unikal me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, ku dr. Bujar Leskaj është i vetmi kryetar në vend dhe në rajon që ka realizuar një homologim të plotë dhe konkret me një institucion amerikan. Pritja që iu bë në fund të mandatit nga Kryekontrollori amerikan Gene.L.Dodaro ose e thënë ndryshe i besuari më i ngushtë i Kongresit Amerikan për auditimin e Shtëpisë së Bardhë, vjen si një certifikim i suksesit dhe besimit të punës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.Kujtojmë këtu se brenda 5 viteve (2015-2020) numërohen rreth 5 vizita të Kryetarit Leskaj në GAO në SHBA.

Madje, kjo marrëdhënie gëzon sot një mbrojtje bibliofilike përmes botimit të fundit të Dr. Leskaj “GAO, NIK dhe leksionet e Dodaros” si dhe ka arritur një rekord të ri në nivel europian, ku Kryetari Leskaj është drejtuesi që ka vizatuar më shumë GAO-n se çdo kryetar tjetër i KLSH-ve europiane.

Në raportet me vendet e zhvilluara të Europës Lindore, veçanërisht ato vende si Polonia dhe Çekia, aktiviteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka rezonuar, përpos bashkëpunimit për detyrat funksionale, edhe ato ndjesitë e momenteve kyçe historike si e famshmja Solidarnos nga ku kanë marrë spunto edhe ndryshimet demokratike në vendin tonë. Si kurorëzim i këtij bashkëpunimi të suksesshëm, në fakt sot është një Kryetar i KLSH-së,Dr. Bujar Leskaj, e jo një Ministër i Jashtëm apo ndonjë zyrtar tjetër, që është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Polonisë, z. Andrzej Duda me titullin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”.

Si kryetar i KLSH-së ai s’ka lënë pa shpalosur “reflekset” si njeri i kulturës dhe si një mik i librit, duke e kthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit në një institucion të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave kulturore, madje më shumë sesa vet ministria e Kulturës. Në njoftimet zyrtare apo rubrikën mjaft kërshërore “jeta sociale” të faqes së KLSH-së, Kontrolli i Lartë i Shtetit shfaq një tjetër dimension si një shtëpi e artistëve dhe intelektualëve. Po ashtu, shtresa e ish-përndjekurve ka gjetur në 7 vitet e Dr. Bujar Leskajt më shumë mbështetje tek KLSH-ja sesa përgjatë 25 viteve të marrë së bashku tek institucionet e ngritura për këtë qëllim. Madje, Kryetari Leskaj u dedikoi një auditim që nxori në pah se problematika e kësaj shtrese janë edhe më të mëdha se ato të publikuara përgjatë viteve.

Duke iu rikthyer titullit, se dr. Bujar Leskaj është themeluesi i KLSH-së moderne, duhet të bëjmë një vlerësim në një optikë më të gjerë ngase mbrothësia e një institucioni matet jo nga propaganda, por tek sakrificat e drejtuesit. Në këtë rrafsh, dr. Bujar Leskaj arriti që të bënte reformë edhe me ikjen e tij, më saktë duke mos pranuar të kandidonte për një mandat të dytë. Thënë në mënyrë metaforike, ai mbrojti institucionin edhe nga “vetvetja” pasi të ushtrosh për 14 vite postin e Kryetarit, rrjedhimisht zvetënohet në njëfarë mënyre pavarësia e për pasojë KLSH kthehet si një institucion i dhënë me koncesion. Prandaj, transformimi i këtij vendimi personal të Bujar Leskajt në një parim të Kodit Etik Auditues ka dhënë një shembull të mirë, jo për KLSH-në, por në fakt për të gjithë drejtuesit, qofshin edhe ata politikë. Sepse vjen një moment kur zhvillimi i një institucioni kërkon që t’i hapet rrugë edhe nga vet iniciatorët. Kësisoj, si me emërimin e tij si kryetar ashtu edhe me largimin, Dr. Bujar Leskaj tregoi se ne shqiptarët, nëse drejtohemi nga vullneti i mirë dhe interesi i përgjithshëm, mund të arrijmë të “bëjmë shtet”.

Thelbi apo kryekumti që na përcjell veprimtaria e Dr. Bujar Leskajt si Kryetar është se duhet t’i mbrojmë institucionet pikësëpari nga ambiciet personale për t’u kapur pas karriges së institucionit. Dhe ja vijmë pikërisht në realizimin e atij qëllimi që mëtojmë ta realizojmë duke u kacavjerrë pas karriges. Sot, Dr. Bujar Leskaj, përmes punës si kryetar dhe dorëzimit të mandatit si shtetar me dinjitet, ka ngadhënjyer në betejën me kohën përtej mandatit 7 vjeçar pasi e ka fituar titullin si themeluesi i KLSH-së europiane dhe moderne. Por, cilido që ka punuar, cilido mik, cilido bashkëpunëtor apo cilido që e ka takuar qoftë edhe njëherë kupton se për vlerat e mëdha multidimensionale, patriotike, kulturore dhe prej shtetari që bart Dr. Leskaj, karrigia e KLSH-së ishte e vogël për të dhe shteti shqiptar ka nevojë për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij në instanca edhe më të larta.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...