Deklaratë e ashpër e numrit 2 të CDU/CSU në Bundestag Johann Whadephul mbi përpjekjet e kryeministrit për ndryshimin e Kushtetutës dhe rrëzimin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit për zgjedhjet. Sipas tij, në rast se kjo ndodh atëherë Gjermania do bllokojë negociatat e anëtarësimit në tetor.
Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag Johann Wadephul ka paralajmëruar mazhorancën shqiptare se nëse prek Kushtetutën, atëherë Bundestagu gjerman do të bllokojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në fakt, deklarata e djeshme është një nga më të fortat dhe të drejtpërdrejtat që i është bërë në këto dy dekada e fundit një qeverie shqiptare, duke e paralajmëruar qartë se veprimet e saj do kenë si kosto një objektiv nga më të rëndësishmit që është integrimi i vendit. Johann Whadepul thotë se ndryshimi i sistemit dhe heqja e koalicioneve janë shkelje serioze të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit, dhe do të minonin Reformën Zgjedhore.
“Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstraparlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe Kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit”, thotë Whadepul në deklaratën e tij.
Sipas deputetit gjerman, nëse mazhoranca vazhdon atë që ka nisur, atëherë Bundestagu do të bllokojë dhe shpresën e fundit për hapjen e negociatave, me bllokimin e konferencës së parë ndërqeveritare që pritet në tetor.
“Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme Reformën Zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje. Prandaj iu bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni Reformën Zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”, përfundon deklarata e Whadephul.
Opozita
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar dhe koalicioni parlamentar, i cili ka shpërndarë një deklaratë, të dytën brenda dy ditëve, ku ka vënë në dukje se përgjegjësi kryesor për prishjen e marrëveshjes dhe pasojat që ajo sjell, është vetëm kryeministri Rama. Koalicioni opozitar shprehet se për këtë çështje s’mund të vendosë Rama, por një referendum popullor, duke vënë në dukje se Rama është një politikan mashtrues dhe tinëzar.
“Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njëanshme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinëzar që për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit. Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar u bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminalë të pushtetit personal të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e koalicionit opozitar.
Presidenti
Kundër ndryshimeve në Kushtetutë ka dalë dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili me anë të një reagimi nga zëdhënësi i tij Tedi Blushi, i ka kujtuar dhe mënyrën antikushtetuese me të cilën mbahet në këmbë parlamenti aktual. Sipas Metës, deputetë të ligjshëm aty janë vetëm 82, ndërsa kërkoi që të hiqet dorë nga veprimet haxhi Qamiliste, sipas tij.
Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues.
Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!” thuhet në reagimin e Metës.
Rama: Nuk do i heqim koalicionet parazgjedhore
Kryeministri, ka preferuar rrjetin social Twitter për t’i kthyer përgjigje opozitës së bashkuar, dhe Presidentit por duke shmangur deklaratat e nënkryetarit të Bundestagut Gjerman Whadephul. Rama thotë se do i qëndrojë pikë për pikë marrëveshjes, por nuk shprehet për ndryshimet që do i duhet të bëjë në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë që shprehet se nuk do i ndalojë koalicionet parazgjedhore, por në draftin e miratuar në komisionin e ligjeve është hequr fjala “koalicion” siç është aktualisht në Kushtetutë.
“Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë. Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’u dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…
As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet të merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!” thotë Rama./MAPO