Deklarata e përbashkët e tre eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis u ribotua sot në faqen e PE-së pasi u fshi mbrëmjen e djeshme duke i hapur rrugë mjaft aludimeve në spektrin politik dhe mediatik. ABC News iu drejtua mëngjesin e sotëm Parlamentit Europian duke pyetur në lidhje me shkaqet që çuan në fshirjen e deklaratës mbrëmjen e djeshme dhe përse ajo u ribotua sot me disa ndryshime në tekst.
Në përgjigjen që dha Oficerja e Shtypit e Parlamentit Europian, Snjezana Kobescak tregoi se deklarata e publikuar dje në faqen e PE-së nuk ishte formati final i qendrimit të tre eurodeputetëve prandaj edhe u fshi. Megjithatë, Kobescak thekson se qendrimi i eurodeputetëve mbetet i njejtë: Marrëveshja e 5 qershorit duhet të implementohet ashtu siç edhe u miratua.
“Arsyeja se përse qendrimi u publikua i korrigjuar lidhet me një gabim, pasi dje u publikua gabimisht në faqe versioni jo final i deklaratës. Mesazhi i deklaratës mbeti i njëjtë dhe është e qartë, marrëveshja e 5 qershorit për Reformën zZgjedhore duhet të zbatohet plotësisht”, theksohet në përgjigjen e Oficerës së Shtypit të PE-së, Snjezana Kobescak.
Mbrëmjen e djeshme, tre eurodeputetët David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis publikuan një qendrim në faqen e PE-së ku i kërkonin maxhorancës që të zbatonte pa ndryshime marrëveshjen e 5 qershorit duke e vënë thekson tek nevoja që gjithçka të bëhej me konsensus mes palëve.
Kjo sipas tyre, do t’i hapte rrugë mbajtjes së takimit të parë të negociatave për Shqipërinë.
Deklarata u fshi nga faqja disa orë më vonë, për t’u ribotuar sot me disa ndryshime në mënyrën e artikulimit, por me thelbin e njëjtë.