Raporti “Një vështrim në Bllkanin Perëndimot” i publikuar vetëm pak ditë më parë nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) tregon se shqiptarët nuk mendojnë në shumicë se trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.
Kjo do të thotë se kryesisht ka një mendim se sistemi i së drejtës është i lidhur me politikën dhe ky është një mendim që mbizotëron kryesisht në Ballkanin Perëndimor.
Kështu sa i takon Shqipërisë, e cila është në një fazë shumë të rëndësishme të lidhur me reformën në drejtësi, duket se perceptimi i popullatës nuk ka ndryshuar pavarësisht hapave.
Të paktën 47 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur se nuk janë dakord në mënyrë kategorike se ligji është i barabartë për të gjithë. Një grup tjetër jo i vogël që i takon 41 për qind të të anketuarve nuk janë aq kategorikë, por kanë tendencën të mendojnë se jo të gjithë trajtohen njëlloj nga ligji. Vetëm 10 për qind mendojnë se ligji i trajton si të barabartë dhe 2 për qind janë të sigurt se trajtohen kështu.
“Gjyqtarët nuk shihen në masë si të pavarur në Ballkanin Perëndimor nga ana e popullatës. Në mesatare 26 për qind besojnë se shumica e gjyqtarëve merr vendim për ccështjet në bazë të asaj çka ligji vërtet sanksionon (përqindja më e ulët është në Shqipëri me 17 për qind)” vlerëson raporti i OECD.
Njerëzit kanë tendencën që të mendojnë se gjyqtarët vendosin për çështjet në bazë të asaj çka interesat e tyre të forta u kërkojnë (45%) apo çfarë u thotë qeveria (29%).
Një tjetër element që sillet në vëmendje në raport është korrupsioni, një fenomen i përgjithshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata ka pak ndryshime nga njëri vend tek tjetri dhe përpjekja për uljen e tij shihet gjithmonë e lidhur me ëndrrën europiane.
Por raporti vlerëson se ulja e nivelit të korrupsionit do të kërkojë më shumë përpjekje sesa forca e ligjit dhe sistemi gjyqësor. Ndryshime në sjellje duhet të vijnë nga politikanët, punonjësit e administratës, qytetarët dhe bizneset./MONITOR