Analisti:Opozita të tregojë forcë, Rama po i rrëmben 4 mandate

Premte, 17 July 2020 14:34

 

Analisti Agron Gjekmarkaj, në një opinion për gazetën Panorama, shkruan se kryeministri Edi Rama kërkon që t’i marrë opozitës katër mandate në tavolinë.

“Nuk janë të paktë zërat që thonë se po krijohet frymë pro opozitare, madje është Edi Rama që po kontribuon për këtë me nevojën e tij për të bërë atë që ka premtuar se do bëjë. Mundet që këtu ka të vërtetë, por askush nuk duhet të harrojë se më pengimin ligjor të koalicioneve, ai i rrëmben në tavolinë opozitës dy deri në katër deputetë, praktikisht e godet në mundësinë e fitores duke i përzier kartat, duke krijuar kaos e rrëmujë.
Natyrisht, opozita ka nevojë për normalitet që të shpjegojë programin e saj, fabulën politike, të prezantojë ekipin e vet e sidomos të shfaqë optimizëm dhe në asnjë rast frikë para opinionit, por të mbrosh diçka që është e drejtë mbetet domosdoshmëri. Kjo është mënyra sesi Rama lobon dhe ia del. Duhet investuat besim te ndërkombëtarët, por më shume te qytetarët. Serioziteti me të cilin mbrohen kauzat, vështrohet me kujdes nga qytetarët. Nëse Rama nuk u bindet ndërkombëtarëve dhe nëse nuk ka reagim popullor e opozitar, një ditë edhe ndërkombëtarët do të heshtin duke pranuar sjelljen tonë. Ata nuk do të bëjnë betejat tona për demokraci,” shkruan Gjekmarkaj.

Sipas tij, opozita duhet të tregojë forcë.

 

“Lulzim Basha dhe opozita nuk duhen të kompleksohen aspak për të rifilluar rezistencën për diçka kaq themelore. Nëse para një viti Rama u hoq si viktimë dhe gjestet opozitare nuk u mirëkuptuan, madje u dënuan nga SHBA dhe BE, sot rolet kanë ndërruar dukshëm. Në sytë e zgurdulluar të ambasadorëve, Kryeministri po përpiqet të ndalë rrotacionin që po përvijohet. Ndaj, çfarë thirrjeje mund t’u bëjnë ata nesër qytetarëve që mbrojnë një të drejtë bazike?!

Çfarë leksioni demokracie, çfarë këshille do të jepnin ata në këtë rast? Rama e ka të qartë që zgjedhjet e lira e të ndershme e nxjerrin humbës, ai e di që pa pushtet humbet garancitë jetike, ndaj bën gjithçka për t’i penguar ato me çdo artificë. Po kaq, opozita duhet të ekzekutojë të drejtën e vet për t’u mbrojtur dhe të ftojë këdo që ende beson se Kushtetuta e këtij vendi nuk është lëvere që përdoret si gjethe fiku për sharlatanët. Opozita po bën mirë që pret fuqinë e aleatëve, por le të përdorë edhe fuqinë e vet që sot e ka. Demonstrimi i forcës përgjatë historisë njerëzore i ka shërbyer shpesh paqes dhe demokracisë”.

Login to post comments