Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka vazhduar me denoncime të forta ndaj mënyrës se si ministrja e Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, po menaxhojnë situatën e rënduar nga virusi COVID-19 në vendin tonë.
Së fundmi ai ka komentuar vizitën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastrliu, një ditë më parë në laboratorin e ri analizave të COVID-19.
Dasho ka zbuluar një detaj te maska që mbante ministrja Ogerta Manastirliu, ku sipas tij maska me valvul që ajo përdorte lë pa mbrojtje personin përballë. Sipas tij nëse dy persona përdorin maska, ata mbrojnë njëri-tjetrin, por nëse njeri prej tyre përdor maskën me valvul dhe tjetri jo, atëherë rrezikohet personi përballë.
Ai gjithashtu i bën thirrje ministres së Shëndetësisë që të krijojë një komitet me ekspertë profesionistë dhe jo amatorësh, që sipas tij, në 6 muaj kanë bërë dëme të jashtëzakonshme.
“Zonja Ministre!
Në kohën e COVID, maska mbahet për solidaritet. Maska ime ju mbron ju dhe maska juaj më mbron mua! Në se ju mbani një maskë me valvul, unë ngelem i pambrojtur! Ju lutem, ngrini një komitet profesionist ekspertësh dhe jo amatorët që ju rrethojnë prej 6 muajsh dhe kanë bërë dëme të jashtëzakonshme në shëndetin, jetën sociale dhe ekonominë e shqiptarëve! Ata do të dinë se si t’ju këshillojnë!”, shkruan eksperti i Shëndetit Publik.