Presidenti Ilir Meta uron Belgjikën në Ditën e Pavarësisë. Duke iu drejtuar Mbretit Philippe, Kreu i Shtetit Shqiptar shpreh vlerësimin për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe Belgjikës.
“Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike”, thekson Meta.
Mesazhi i plotë:
Madhëria Juaj, Mbreti Philippe
Më lejoni që me rastin e Ditës Kombëtare të Belgjikës të shpreh, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të përzemërta për Ju dhe për qytetarët e Belgjikës.
Kam kënaqësinë të shpreh vlerësimin tim për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe Belgjikës. Kjo më bën optimist për një të ardhme të shkëlqyer të bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
Një urë lidhëse e qëndrueshme në këto marrëdhënie është edhe komuniteti shqiptar në Belgjikë. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Belgjika i ka krijuar këtij komuniteti për të ruajtur identitetin kombëtar, si dhe për t’u integruar dhe dhënë kontributin e tij në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore, kulturore e ekonomike midis dy vendeve.
Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike. Mbështetja në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, është e një rëndësie shumë të veçantë për vendin tim. Ne jemi të vendosur për të plotësuar të gjitha kriteret që do të na mundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në një kohë sa më të afërt.
Duke Ju përcjellë edhe një herë urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe për zhvillimin e gjithanshëm të Belgjikës, Ju lutem Madhëri, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë! 🇦🇱🤝🇧🇪