Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka denoncuar edhe njëherë konfliktin e pastër të interesit të Drejtorit të Patentave dhe Transporteve, Blendi Gonxhe, i cili ndërkohë që kryen këtë funksion ka edhe një kompani transporti në emër të gruas, që sipas dokumenteve është paguar me miliona lekë nga institucionet shqiptare.
DEKLARATA
‘Blendi Gonxhe, meqë thuhet se i ka bërë dikur masazh nga këmbët Edi Ramës dhe meqë ka si protektore të punëve të tij të pista Belinda Ballukun, mendon se mund t’ua hedhë të gjithëve me logon e keqpërdorur “fake news”.
Konflikti i interesit i Blendi Gonxhes nuk është lajm i rremë. Kjo mund të provohet para çdo gjykate. Kompania e transportit që Drejtori i Transportit ka në emër të gruas, është paguar miliona lekë nga institucione qeveritare.
Më konkretisht, ALBARENT, kompania e Gonxhes kryen një sërë aktivitetesh të lidhura drejtpërdrejt me Drejtorinë e Tranportit Rrugor, ku Drejtor i Përgjithshëm është vetë Blendi Gonxhe. Detyra e shërbimit të transportit rrugor është licensimi i mjeteve për transport udhëtarësh dhe mallrash të të gjitha tonazheve, targat, verifikimi i shitblerjeve të automjeteve, dhënia e çertifikatave për transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave etj. Pra, të gjitha shërbimet që ofron dhe kompania ku pronar është drejtori Gonxhe. Konflikti i interesit është i pastër.
Në reagimin e tij, Blendi Gonxhe ka bërë një llogaritje të milionave, duke ulur shifrat, duke pjesëtuar e shumëzuar sipas qejfit. Por “harron” se nuk ka asnjë rëndësi shifra e milionave që merr familja Gonxhe. Mjafton aktiviteti që kanë në konfikt interesi dhe 1 lek i fituar kështu është në shkelje të ligjit.
Në nenin 3 të ligjit për konfliktin e interesit shkruhet: “Konflikt i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike”!
Ky është ligji Gonxhja i Ramës dhe t'i duhet të mbash përgjegjësi!
• Që je pronar i një kompanie që merr tendera publikë s’e mohon dot as ti.
• Që është gruaja administratore dhe që ligji për konfliktin e interesit e trajton sikur të jesh vetë ti përfitues i kontratave publike, s’e mohon dot as ti.
• Që automjetet e tua marrin shërbim tek institucionet e tua s’e mohon dot as ti.
Belinda Balluku duhet ta kishte shkarkuar menjëherë, por Ministrja e mbron, pasi kanë të njëjtin standard dhe model. Njëri përvetëson para me kompaninë e gruas, tjetra bën llogari me koncesione rrugësh, si Milot-Fier, me kompani që fshihen pas emrave të huaj.
I bëj thirrje të përsëritur Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI) të bëjë detyrën dhe të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit. Prokuroria të nisë hetimet dhe Blendi Gonxhe, të largohet nga detyra për shkeljen e ligjit me vetëdije të plotë.’