Janë të shumtë artistët që nuk e kanë pritur mirë vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00.
Të rinj e të vjetër, bashkë me sipërmarrësit që iu cenohet biznesi, dolën dje në sheshin para Kryeministrisë, në shenjë proteste kundër aktit normativ të qeverisë, nën sloganin “Muzika nuk vret”.
Kanë qenë të shumtë figurat publike të artit, që në rrjetet sociale shpërndanë postimin nën thirrjen “Kundër aktit normativ” për t’iu bashkuar protestës mesditën e së martës. Elton Deda, Eneda Tarifa, Eugent Bushpepa, Aurela Gaçe, Capital T e shumë të tjerë i përcollën këtë mesazh qeverisë: “Mos ma mbyll muzikën”. Edhe pse në moshë të thyer dhe në pikun e vapës, kompozitori i njohur Robert Radoja nuk qëndroi indiferent ndaj këtij akti. Ai zgjodhi të jetë në shesh bashkë me zhgënjimin për mungesën e solidaritetit mes artistëve. “Artistët janë individualistë. Ishim 20 veta këtu dhe 1500 policë. Policët duhet të marrin një buqetë me lule”.pjimage (3)
Me ironi përcjell vendimin e qeverisë teksa në prononcimin për mediat u kërkoi gazetarëve të heqin maskat, pasi në atë orë nuk qarkullon virusi. “Mos kini frikë nga unë. Pas orës 08:00 transmetojmë virusin, por në mënyrë fisnike, me tinguj”.
Ndërsa kantautori Elton Deda tregohet më i drejtpërdrejtë e më i ashpër. Në një postim në rrjetet sociale, ai i kërkon kreut të qeverisë të reflektojë sa është në kohë, pasi artistët janë prej pesë muajsh të denigruar. “Reflekto, or mik, sa nuk është vonë. Mos ua mbyll shqiptarëve të dërrmuar atë dritaren e zbehtë që u jep pak kënaqësi. Ka plot forma që mos t’i rrënosh muzikantët e bashkë me ata gjithë zinxhirin e biznesit. Shfuqizo atë aktin e çuditshëm dhe bëj një të ri, ku shtrëngon masat”.
PËRPLASJA
Protesta e djeshme nuk ka kaluar pa përplasje midis artistëve e Policisë. Forcat blu të kryeqytetit kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën, e cila thuhet të ketë dalë në bulevard pa marrë leje më parë. Policia e Tiranës ka shoqëruar 12 persona për “Organizim tubimi të paligjshëm” dhe “Pengim të qarkullimit të automjeteve”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të personave të identifikuar si organizatorë për dy veprat penale të sipërcituara. Në gjendjen e pandemisë, qeveria ka ndaluar çdo grumbullim për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Në njoftimin për mediat, Policia kërkon nga qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit, ndërsa problematikat që kanë t’i adresojnë pranë institucioneve kompetente.
MBYLLJA
Vendimi për të mbyllur lokalet e natës dhe çdo ambient ku luhet muzikë pas orës 20:00 të mbrëmjes, erdhi pasi qeveria i shikon këto vende si vatra potenciale infeksioni. Por, nga ana tjetër, me risk të lartë mund të konsiderohen edhe transporti urban, tregjet, restorantet etj.
Pyetja që shtrohet është, pse lind nevoja e një trajtimi të diferencuar?! “Ndërsa vihet re në javën e fundit një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto. Kemi konstatuar që në këtë periudhë ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni. Qeveria shqiptare ka vendosur që nga sot t’i thotë stop kësaj sfide, që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobëtëve mes nesh”, tha Manastirliu në komunikimin e aktit normativ për mediat. Për ata që nuk do t’i binden vendimit, janë përcaktuar penalitete, nga gjobat deri pezullim aktiviteti për një periudhë 1-vjeçare.
“Me vendimin e qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ, i cili: Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdolloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë njëvjeçare. Ndalon muzikën pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtëmujore”, thuhet në vendim.