Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi deklaroi sot se ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë pasi reforma zgjedhore është kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me BE. Ai i bëri thirrje kryeministrit të mbajë një qëndrim.
“Apeli i gjithë partnerëve ka qenë që gjithë palët të ulen në një proces gjithëpërfshirës dhe ne kemi qenë dhe do të jemi pjesë e tryezës së Këshillit Politik për të vijuar dialogun politik. Kemi hedhur dje një hap të madh, kemi ofruar një formulë kompromisi që palët të shkojnë përpara dhe duhet që Rama të mos dëmtojë procesin e integrimit dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë e shqiptarëve. Është moment historik dhe ne nuk duhet ta humbim. Do ishte mirë që kryeministri të mbante një qëndrim nëse është për Shqipërinë në Europë apo për Shqipërinë e standardeve antidemokratike. Ne e kemi bërë zgjedhjen”, tha Bardhi.