Me rastin e 2-vjetorit të vdekjes, Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot politikanin dhe shkrimtarin Adem Demaçi.
Me një shënim në facebook, Meta thotë se Demaçi është emblema e qëndresës shqiptare, “heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor”.
“Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës“, shkruan mes të tjerash Meta.
Postimi i plotë:
Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.
Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës.
Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj.
Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem!
Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi!