Pronari i një lokali në Durrës, që u shemb gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit, është ndaluar nga Policia sot.
44-vjeçari me inicialet A. T., akuzohet se kishte bërë ndërhyrje në strukturën e pallatit, që çoi në shembjen e tij, ku për pasojë humbën jetën dy persona.
Ai ishte shpallur në kërkim prej disa për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Njoftimi i plotë:
Durrës
Kishte bërë ndërhyrje në biznesin e tij lokal dhe për pasojë u shemb pallati 6-katësh nga tërmeti i datës 26.11.2019, Policia e Durrësit ndalon pronarin e lokalit “Barons”, i cili ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës ekzekutuan urdhrin e ndalimit për shtetasin A. T., 44 vjeç, banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg “, pasi dyshohet se nga ndërhyrjet që ka bërë në biznesin e tij lokal, në lagjen nr. 6 dhe nga tërmeti i datës 26.11.2019 është shembur pallati 6-katësh dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetase.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.