Për ish-ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një realitet tjetër politik që i hap rrugë konkurencës, meritokracisë dhe standartit politik. Në një prononcim për ”Koha Jonë”, ish-deputetja e LSI-së, thotë se ndryshimi i çështjes së koalicioneve kërkon ndryshim në Kushtetutë dhe sipas saj, kërkon një parlament legjitim që të të bëhen ndërhyrje në librin themeltar të një shteti. Reforma Zgjedhore është një nga kushtet e Integrimit por siç thotë Gjosha, ”qeveria dhe kryeministri e kanë sabotuar me kohë procesin e Integrimit Europian. Loja me negociatat dhe mos pranimi i kushteve e kanë çuar vendin drejt një mbylljeje të perspektivës europiane dhe kanë thelluar kushtet për të vazhduar procesin”.
Palët në Këshillin Politik kanë rënë dakord parimisht që listat e kandidatëve të hapen 100 %, por përplasja është vendosur tek formula e përllogaritjes së mandateve dhe tek mënyra e ngritjes së koalicioneve parazgjedhore. Më 30 korrik do të votohen ndryshimet Kushtetuese dhe se nëse do ndalohen koalicionet, vendi mund të shkojë në konflikt civil?
Hapja e listave me 100% është një mundësi e mirë për përfshirjen e drejtëpërdrejtë të qytetarëve në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, hapjen e garës brenda partive politike, shpalosjen e platformave dhe programeve dhe demokratizimin e partive politike.
Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një realitet tjetër politik që i hap rrugë konkurencës, meritokracisë dhe standartit politik. Hapja e listave mund të kryhet fare thjesht me një ndryshim në Kodin Zgjedhor.
Ndryshimi i çështjes së koalicioneve kërkon ndryshim në Kushtetutë dhe unë mendoj se do t’i takonte një parlamenti legjitim të bëj ndërhyrje në librin themeltar të një shteti. Kjo edhe për faktin se nëse do të ketë ndryshime në Kushtetutë, atëherë ato duhet të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me balancimin e pushteteve.
Mund të kemi një sabotim të rrugës drejt Integrimit nga Rama, nëse Reforma Zgjedhore nuk ecën siç duhet?
Qeveria dhe kryeministri e kanë sabotuar me kohë procesin e Integrimit Europian. Loja me negociatat dhe mos pranimi i kushteve e kanë çuar vendin drejt një mbylljeje të perspektivës europiane dhe kanë thelluar kushtet për të vazhduar procesin.
Është një rrugëtim që sa vjen dhe vështirësohet për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mbi ngopjes nga pushteti. Integrimi i është servirur qytetarëve si thjesht një sërë kapitujsh dhe qeveria ka dështuar t’i edukojë qytetarët për standartet, vlerat, të mirat dhe përgjegjësitë e të qënurit pjesë e Europës.
Këtë mungesë informacioni e ka shfrytëzuar për të grabitur pushtetin dhe për të vendosur Europën si një alibi për keq qeverisjen dhe dështimet e saj!